Kosova ka mbështetje për vendosjen e ligjit në veri

Kosova e ka mbështetjen unike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të vendit, ka deklaruar të premten kryeministri Hashim Thaçi.

Teksa ka folur për akordimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues që me disa përparime të caktuara, kryesisht në veri, t’i jepet fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë për të kaluar në fazën e pavarësisë së plotë, Thaçi ka thënë se ndërkohë mbetet punë dhe angazhim që veriu t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve lokale dhe formimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut, siç e parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit.
“Ne të gjithë jemi të përkushtuar, si Qeveri e Kosovës, të gjitha institucionet ndërkombëtare, me mbështetjen e plotë edhe të Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe aty ishin prezent edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Komisionit Evropian, të baroneshës Catherine Ashton, do të thotë ishte një mbështetje unike që të punojmë këmbëngulësisht për lëvizje të lirë, për rend dhe ligj, për zgjedhje të lira, që të kemi lidership legjitim, që të kemi investime socio-ekonomike, si dhe të kemi formimin e komunës së re”, është shprehur kryeministri Thaçi, raporton RFE.
Kryeministri i Kosovës beson se në fund të këtij viti Kosova do të përmbushë zbatimin e Planit të Ahtisarit, përfshirë edhe veriun duke vendosur edhe atje sundim të rendit dhe ligjit. Duke zbatuar plotësisht Planin e Ahtisarit, si dokument bazë mbi të cilin Kosova kishte shpallur pavarësinë e koordinuar me vendet e saj mike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të fuqishme evropiane, do të përmbyllej edhe faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.