Termokos shpenzon 60 mijë euro në ditë për ngrohje

Bordi i Drejtorëve i ngrohtores Termokos, është duke e përcjellë në vazhdimësi situatën e furnizimit me ngrohje nga Termokosi. Duke falënderuar të gjithë ata konsumatorë, që janë parapagues të rregullt të faturave të ngrohjes, Bordi i Drejtorëve të Termokos-it apelon edhe një herë tek të gjithë konsumatorët, që të kryejnë obligimet, që kanë ndaj Termokos-it.

“Kostoja e lartë e prodhimit të energjisë ngrohëse e posaçërisht çmimi i lartë i mazutit (rreth 750 euro për ton), me një tendencë ngritjeje të vazhdueshme, ka rritur domosdonë e ngritjes së gjenerimit të të hyrave, pa të cilat nuk mund të realizohet ngrohja”, thuhet në komunikatën ëpr media të kësaj ngrohtore.
Nga kryerja e obligimeve të konsumatorëve tanë varet edhe fati i projektit të koogjenerimit, realizimi i të cilit me një nivel të tillë të kryerjes së obligimeve të konsumatorëve ndaj “Termokos-it mund edhe të rrezikohet.
Për furnizimin ditor me energji ngrohëse për afro 12.500 konsumatorë, në këto temperatura të ulëta Termokosi shpenzon afro 80 ton mazut, që e shprehur në vlerë monetare kushton rreth 60 mijë euro.
Apelojmë edhe një herë tek konsumatorët tanë, që të kryejnë obligimet që kanë ndaj Termokos-it, gjë që është parakusht për vazhdimin e ofrimit të ngrohjes