Procesi gjyqësor në rastin ”Kleçka” është shtyrë për të mërkurën, bëri të ditur avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj. Ai tha se nuk ka ndonjë arsyetim të veçantë për shtyrje, por mendon se trupi gjykues ka pasur më shumë nevojë për analizimin e argumenteve që i ka paraqitur mbrojtja.
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, sot është dashur të vazhdojë procesi gjyqësor për rastin ”Kleçka”, i cili po zhvillohet ndaj deputetit Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij, por gjykimi është shtyrë për të mërkurën.
Avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, i ka thënë Radio Kosovës se pala mbrojtëse nuk ka marrë ndonjë arsyeje të veçantë për shtyrjen e seancës, përveç njoftimit se seanca do të vazhdojë me datë 21 mars.
Megjithatë, Rrecaj, si arsye për shtyrje të seancës e sheh kohën e pamjaftueshme të trupit gjykues për analizën e argumenteve që i ka parashtruar pala mbrojtëse.
“Trupit Gjykues i nevojitet një kohë e mjaftueshme për t`i analizuar të gjitha argumentet që i ka paraqitur mbrojtja. Pastaj, për t’u analizuar përgjigja e mbrojtjes dhe përgjigja e prokurorit në përgjigjen e mbrojtjes. Unë besoj se kjo duhet të jetë arsyeja e vetme, nëse nuk ka ndonjë arsye tjetër”, tha Rrecaj, citon RTK.
Sot është dashur që gjykata të marrë një vendim rreth pranimit ose jo të dëshmive të Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X.