Krahas shtimit të lëndëve të reja, sistemi i drejtësisë në Kosovë po ballafaqohet me numër të madh të lëndëve të vjetra, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura në sirtarët e institucioneve përkatëse. Kësaj problematike i shtohen edhe lëndët e përmbarimit - pra, ato për të cilat është marrë vendimi, por që nuk mund të zbatohet në praktikë.
Nga të dhënat të cilat dalin nga Gjykata Supreme e Kosovës, aktualisht numri i këtyre lëndëve të përmbaruara arrin deri në 100 mijë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fajzulla Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se një ndër shkaqet më të mëdha që kanë ndikuar në ketë drejtim, është numri i vogël i punëtorëve në gjykata.
“Një arsye ka qenë mungesa e punëtorëve përmbarues. Janë edhe arsye të tjera, për faktin se te ne janë rrethana të tilla ekonomike, që shpeshherë gjykata ndodhet në situata që e ka të pamundur ta përmbarojë një lëndë për faktin se del në teren, shkon në vend, por nuk ka çfarë t’i marrë (atij qytetari- borxhliu). Do të thotë, nuk ka mundësi ta përmbarojë. Të gjitha këto paraqesin probleme për realizimin e lëndëve përmbarimore”, theksoi Hasani.
Hasani bëri të ditur se numri më i madh i lëndëve të përmbarimit kanë të bëjnë me Korporatën Energjetike të Kosovës, PTK-në dhe kompani të tjera publike.
Sipas Hasanit, për të gjithë klientët borxhlinj të ndërmarrjeve të lartpërmendura, të cilët nuk i paguajnë shërbimet e ofruara të këtyre kompanive, pasojat për ekzekutimin e lëndëve po i bartin gjykatat.
Për shkak të kësaj gjendjeje në sistemin e drejtësisë, ku numri i lëndëve të papërfunduara vazhdon të jetë shumë i madh, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vitin 2010 kishte marr një vendim për hartimin e një strategjie për reduktimin e lëndëve të vjetra.
Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, kjo strategji sipas KGJK-së, është duke u zbatuar.
Enver Peci, nga ky këshill, shpjegoi se në kohen kur është hartuar strategjia, ishte menduar se punët do të kryen më shpejt, por siç thotë ai, më vonë problem ka paraqitur identifikimi i lëndëve.
Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në përgjithësi në gjykatat e Kosovës.