Kryetari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se qershori i këtij viti është menduar që të jetë muaji kur edhe në mënyrë ceremoniale do të shënohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Bajramit ka thënë se prania civile ndërkombëtare në Kosovë, gjatë këtij viti do të transformohet nga një mision qeverisës ekzekutiv, në një mekanizëm monitorues dhe lehtësues për institucionet e vendit.
“Është me rëndësi që në këtë vit qeverisja e Kosovës do të jetë përgjegjësi absolute e vendorëve, do të thotë vendosja e rendit, rregullit do të jetë përgjegjësi e vendorëve. Pra është jashtëzakonisht mirë që po hiqet tutoria ndaj shtetit, po hiqet tutela e kujdestarisë”, thotë Arsim Bajrami, transmeton RTK.
Bajrami është i bindur se deri në fund të vitit, komisioni dhe parlamenti do të jenë në gjendje që të finalizojnë këto ndryshime kushtetuese. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të komprometohet me një vazhdim të pakufishëm të pranisë në Kosovë.
“Kjo është jashtëzakonisht mirë edhe për prezencën ndërkombëtare që mos të komprometohet me një vazhdim të pakufishëm në Kosovë, por është jashtëzakonisht mirë për vendorët, për institucionet vendore që ato të tregojnë kapacitetin që të qeverisin vet dhe të marrin përgjegjësi për Kosovën”, thotë Bajrami.
Në verën e këtij viti, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën do të mblidhet në një takim për të vlerësuar të arriturat e institucioneve të Kosovës. Në këtë linjë, Bajrami thotë se qershori i këtij viti është menduar që të jetë muaji kur edhe në mënyrë ceremoniale do të shënohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.