Dikovic padit Kandicin

Shefi i Shtabit Suprem të Ushtrisë së Serbisë, Lubisa Dikovic, ka ngre padi kundër drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasa Kandic, e cila e kishte akuzuar gjeneralin serb si përgjegjës për krime të luftës në Kosovë.

Padia është deponuar në Gjykatën e shkallës së Parë në Beograd, në bazë të shtatë pikave të dosjes për Dikovicin, të cilin në fund të janarit të këtij viti e ka publikuar FDH.
Në dosje thuhet se njësiti 37 i motorizuar i ushtrisë së ish-RFJ-së në Kosovë, nën komandën e Dikovicit, të cilën Slobodan Milosevic e kishte dekoruar me Urdhrin e Heroit Kombëtar, ka kryer krime duke vrarë civilë, ka përdhunuar dhe ka torturuar.
Dikovic më parë ka hedhur poshtë akuzat e FDH dhe të Kandicit si të pavërteta, duke i konsideruar si sulme mbi ushtrinë serbe "si një institucion stabil dhe i respektuar dhe një goditje për funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm", shkruan “Danas”.
Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka hedhur poshtë akuzat e FDH, duke thënë se janë bërë verifikime para se Dikovic të emërohej në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se një oficer si Dikovic nuk është i denjë të jetë shefi i ushtrisë dhe u kërkoi autoriteteve kompetente që presidentit të Serbisë t’i ofrojnë faktet për veprimet e ish-komandantit të brigadës 37 të motorizuar gjatë luftës, si dëshmitë e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në zonën e përgjegjësisë së komandantit të luftës Dikovic.