Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se në asnjë variant nuk është dashur të pranohet fusnota kështu siç është pranuar.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Krasniqi ka thënë se po të kishte biseduar klasa politike në mes vete për këtë çështje do ta kishim një zgjidhje më të mirë.
Krasniqi ka thënë se ekipi dialogues i Kosovës nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta udhëhequr këtë dialog.
“Kam pasur edhe kam rezervat e mia se në këtë dialog kemi hyrë të papërgatitur si duhet, pa i planifikuar çështjet që dëshirojmë t’i bisedojmë. Në këtë dialog kemi dërguar një ekip që ka treguar se nuk i ka njohur teknikat e dialogimit. Delegacioni i Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen ose të ndryshohet i tëri”, është shprehur Krasniqi.
Duke folur për veriun, Krasniqi ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. “Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, është shprehur Krasniqi.
Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë të kenë një komunikim ndryshe për veriun.
“Liderët politikë duhet ta vendosin një komunikim ndryshe e jo në këtë formë që e kemi hasur deri më tash. Mendoj se konsensusi që lështë arritur për kompromisin në pakon e Ahtisaarit është limiti deri ku ka mundur të shkohet. Pakoja Gjithëpërfshirëse e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të organizojnë zgjedhje në një territor të shtetit të huaj.
Kryeparlamentari ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të organizojnë zgjedhje në një territor të shtetit të huaj.
“Zgjedhjet e tilla nuk mund të prodhojnë siguri e as stabilitet”, është shprehur Krasniqi.