Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka pranuar një ankesë nga e “Drejtësia në Kosovë”, në lidhje me kërcënimet që i janë bërë ekipit të këtij emisioni.
Të dielën mbrëma, “Drejtësia në Kosovë” e ka transmetuar emisionin “Komuna e Prizrenit shpaguan financuesit e fushatës”, i cili emision ka trajtuar një letër kërcënuese që i është dërguar Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, e cila letër është bërë shkas i zbulimit të lidhjeve të fshehta që kanë biznesmenët me politikën.
“Kryetari Muja është kontaktuar për disa javë rresht dhe nga ai është kërkuar një prononcim. Në pamundësi të takimit me të, gazetari ia ka dalë që ta takojë atë në një restorant, ku edhe i ka kërkuar prononcim rreth dyshimeve të ngritura ndaj tij”, thuhet në deklaratën e AGPK-së.
“Në atë rast, Muja ka kërcënuar gazetarin duke kërkuar nga ai që të largohej nga aty, ose në të kundërtën do t’ia thyente kamerën”.
“Ky veprim dëshmon edhe njëherë mungesën e transparencës së institucioneve publike dhe pengesat që u bëhen gazetarëve hulumtues gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”.
AGPK kërkon nga Partia Demokratike e Kosovës që të distancohet nga ky veprim, kërkon nga autoritete përgjegjëse që të trajtojnë kërcënimin e ushtruar ndaj ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, si dhe kërkon nga kryetari Muja që të kërkojë falje publike për kërcënimin e bërë.