Mustafa: Vendi nuk duhet të qeveriset në këtë formë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një vizite në Ferizaj deklaroi se partia e tij dëshiron të bëjë ndryshime në qeverisje dhe për këtë arsye u ka ofruar bashkëpunim VV-së, AAK-së dhe AKR-së.

Gjatë kësaj vizite, Mustafa diskutoi edhe për përgatitjet që po bëhen për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Ferizajt.
“Ky vend nuk duhet të qeveriset në këtë formë. Ne dëshirojmë të bëjmë ndryshime në qeverisje dhe për këtë arsye ne u kemi ofruar bashkëpunim edhe VV, AAK e AKR-së dhe nëse ata dëshirojnë të bëjnë ndryshime duhet të na përkrahin në Ferizaj. Ndryshimet në Ferizaj do të ndikojnë në ndryshime në tërë Kosovën”, tha kreu i LDK-së.
Mustafa, po ashtu theksoi se buxheti që e ndan Qeveria po shkon mbi baza politike, duke i diskriminuar komunat të cilat nuk udhëhiqen nga PDK.
“Duke e përkrahur z. Salihaj për kryetar të Ferizajt, do të instalojmë një qeverisje të mirë dhe njerëzve të Ferizajt do t’u krijojmë kushte më të mira për jetë pavarësisht përcaktimeve të tyre partiake. Ata janë qytetarë tanë dhe s’do të bëjmë dallime”, tha z. Mustafa.