Shërbimi i noterisë, si shërbim juridik dhe publik, do të funksionalizohet nga maji i këtij viti, ndërsa puna e noterëve u tha se do të shërbejë shumë në aktivitetet e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe do ta lehtëson punën e institucioneve gjyqësore.
Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët, që u organizua nga Ministria e Drejtësisë lidhur me lansimin e sistemit noterial në Republikën e Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka theksuar rolin që do ta luaj sistemi noterial në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka shtuar se ky sistem është krijuar falë punës së përbashkët të bërë nga shumë institucione.
Lidhur me efektin pozitivë që do ta luaj sistemi noterial në sistemin e përgjithshëm të drejtësisë, folën Kryetari i KGJK-së, Enver Peci, ai i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe Kryeprokurori, Ismet Kabashi.
Sipas tyre, puna e noterëve do të shërbejë shumë në aktivitetet e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe do ta lehtëson punën e institucioneve gjyqësore.
Ndërsa, kryetarja e Odës së Noterëve, Arbena Shehu, prezantoi shërbimet që do të kryhen nga noterët.
Ajo tha se noterët mund të kryejnë shërbime për çështje familjare, për çështje pronësore, ekonomike dhe të punës, bënë ruajtjen e gjërave dhe dokumenteve, vërtetimet, legalizimet dhe certifikatat tjera.
Ministria e Drejtësisë përveç regjionit të Prishtinës, do të organizojë tryeza lidhur me lansimin e sistemit noterial, edhe në regjione tjera të Kosovës.