Trashen dosjet në gjykata

Zvogëlimi i numrit të rasteve të vjetra në gjykatat e vendit, duket si mision i pamundur. Në vend se viti i ri kalendarik të fillojë me më pak dosje, kjo shifër vetëm rritet. Pavarësisht punës së madhe që bëjnë gjyqtarët dhe zbatimit të strategjisë për këtë çështje, viti 2012 ka filluar me 213 mijë e 37 raste, ose 3 mijë e 589 më shumë sesa në vitin paraprak.

Me strategji shtetërore e me shumë punë, është vështirë se një ditë, në gjykatat vendit nuk do të ketë lëndë të vjetra që presin të shqyrtohen.
Gjyqtarët e vendit të cilët në shumë raste i ngarkojnë edhe çantat, e madje edhe në shtëpi i përpunojnë dosjet që u ngarkohen, megjithatë çdo vit të ri, e fillojnë me më shumë raste të vjetra. Ky duket sikur një mision i pamundur.
Në vend se numri i dosjeve të zvogëlohet, kur përfundon viti, sipas shifrave zyrtare, del se viti i ri fillon me numër edhe më të madh dosjesh hyjnë në kategorinë e të vjetrave.
Kështu, nëse viti 2011 ka filluar në total me 295 mijë e 842 raste në punë, prej të cilave 209 mijë e 448 ishin të trashëguara nga periudha e kaluar, viti 2012 ka nisur me rrafsh 213 mijë e 37 dosje.
Të gjitha gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës, vitin 2011 e kanë filluar me 295 mijë e 842 lëndë, prej të cilave 209 mijë e 448 ishin të trashëguara nga periudha paraprake.
Prej numrit të përgjithshëm të dosjeve, gjatë vitit kalendarik 2011, gjykatat kanë pranuar edhe 86 mijë e 394 lëndë të reja, kurse gjyqtarët kanë arritur të zgjidhin 82 mijë e 805 dosje.
Por në fund, edhe pse në krahasim me numrin e vogël të gjyqtarëve, rastet e zgjidhura janë në numër të madh, viti i 2012 ka nisur sërish me 213 mijë e 037 dosje si të vjetra.
Sipas të dhënave zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykatat që kanë më së shumti dosje në punë janë ato komunale për kundërvajtje me 361 mijë e 192 lëndë në punë, pastaj ato komunale me 263 mijë e 941 lëndë në punë, pasuar nga ato të Qarkut me 21 mijë e 693 raste.
Por në përpjekje për zvogëlimin dhe harxhimin e rasteve të vjetra, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka nisur së zbatuari planin strategjik shtetëror për “Reduktimin e lëndëve të vjetra” 2007-2012.
Bazuar në raportin vlerësues zyrtar për tremujorin e parë të këtij viti (2012), në zbatimin e kësaj strategjie, del se është bërë goxha shumë punë.
Në këtë dokument të KGJK-së thuhet se ”në nivel të përgjithshëm, gjyqësori i Kosovës ka arritur shkallë realizuese të reduktimit të lëndëve të vjetra në masën 49,57 për qind”.
“...Të gjitha Gjykatat Komunale për Kundërvajtje, në tërësi (100%) e kanë realizuar Strategjinë për Reduktimin e lëndëve të Vjetra, kurse Gjykata Supreme e Kosovës ka arritur shkallën realizuese në 70,46 për qind”, thuhet në raport, transmeton Express.
Për më tej, në konkluzionet e dokumentit theksohet se “...Gjykatat e Qarkut dhe Gjykatat Komunale nuk e kanë arritur shkallën realizuese mbi 40 për qind”.
Sipas dokumentit, krahasuar me numrin e gjyqtarëve, në veçanti të Gjykatave Komunale, është arritur progres i kënaqshëm në lëndët e lëmit penal.
“...Ndërsa në lëndët e lëmit civile do të duhej angazhim edhe më i shtuar se sa ai që ishte gjatë vitit 2011”, shkruan në raport.
Por se sa në vështirësi janë gjykatat, sidomos ato të qyteteve më specifike siç është rasti i Mitrovicës, tregon edhe shembulli kur në raportin e KGJK-së për zbatimin e strategjisë, flitet për pengesat e zbatimit të këtij plani.
Në dokument tregohet se gjykatat e Mitrovicës, vetëm tash kanë arritur të raportojnë për realizim të strategjisë, për lëndët e pranuara në punë nga muaji shkurt deri në fund të vitit 2008, prej datës kur aktiviteti ditor i punës, bëhet në objektin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë.
Ndërkaq, për gjykatat në Zubin Potok e Leposaviq, as që flitet për sistem të drejtësisë. Krejt çfarë thuhet për gjyqësinë në këto dy qytete në veri të vendit është se “ …nuk kanë qenë kushtet e krijuara për të siguruar të dhëna”.
Megjithëkëtë, pavarësisht punës që bëjnë, jo të gjithë gjyqtarët duket se detyrën e vet e kryejnë tërësisht në përputhje me ligjin.
Sipas dokumentit zyrtar të KGJK-së, pjesës ku flitet për punën e Komisionit Disiplinor, del se gjatë vitit 2011, janë mbajtur 12 seanca disiplinore ndaj vetë ndarësve të ligjit.
Në këto seanca disiplinore, janë shqyrtuar gjithsej 63 raporte përfundimtare, me të cilat gjyqtarët ngarkoheshin për sjellje të pahijshme.
Me rastin e shqyrtimit të këtyre raporteve, në raport shkruan se në 12 seancat e mbajtura, janë marrë 57 vendime.
Kështu, në 15 raste, ndaj gjyqtarëve ka pushuar ndjekja për shkak se ata nuk janë më pjesë e sistemit gjyqësor, në 2 raste është pushuar procedura, sepse gjyqtarët kanë vdekur, kurse masa disiplinore qortim është shqiptuar në 19 raste.
Më tej, sipas raportit të KGJK-së, masa disiplinore qortim dhe vërejtje është shqiptuar në një rast, ndërkohë që ulja e pagës përgjysmë, për dy muaj është shqiptuar ndaj një gjyqtari.
Përveç këtyre, lirim nga përgjegjësia disiplinore kanë ndodhur me anë të 20 vendimeve, refuzim kërkese për suspendim në një rast dhe katër vendime, me të cilat gjyqtarët janë liruar nga përgjegjësia, pasi që ata nuk janë pjesë e sistemit gjyqësor, edhe pse Komisioni Disiplinor ka konstatuar sjelljet e pahijshme të pretenduara nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinor.