Kuçi: Fati i Kosovës nuk varet nga zgjedhjet serbe

Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës, deklaroi të hënën zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.

Ai ka thënë se presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, është zgjedhje e qytetarëve serb. Ndërkaq sipas tij, fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi.
Qeveria e Kosovës vlerëson se zgjedhja e Tomislav Nikolicit si president i Serbisë nuk ndërlidhet me fatin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, tha se zgjedhjet politike në Serbi janë për popullin serb dhe se fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varet nga ato zgjedhje.
“Fati politik, pavarësia dhe zhvillimet e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike që bëhen në Serbi. Por ato zgjedhje janë për popullin serb dhe janë vlerësim për të tjetër. Ajo çka mund të them është se Kosova do të prodhojë stabilitet paqeje dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, tha ai.
Mirëpo, analistë politik në vend, kanë mendime krejtësisht ndryshe për përfaqësuesit e institucioneve.
Analisti, Behlul Beqaj, i tha Radio Kosovës se për dallim nga ish presidenti Boris Tadic, Nikolic do të ketë qasje ndryshe në raport me Kosovën.
“Do të ndryshojë raporti i pushtetit me Kosovën, por do të vazhdojë me BE-në, e cila do të degradojë edhe më shumë interesin e Kosovës meqë për BE-në përafrimi i Serbisë në BE mbetet prioritet nga frika se eventualisht Serbia mos po shkon më tepër kah lindja”, tha ai.
Megjithatë Beqaj mendon se presidenti i ri serb do t’iu përgjigjet kërkesave të BE-së për shumë çështje, por gjithsesi Kosovën do ta trajtojë ndryshe nga paraardhësi i tij, Boris Tadic.