i ashtuquajturi Sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se nuk pret ndryshime drastike të politikës shtetërore serbe ndaj Kosovës, pas zgjedhjes së Tomislav Nikolicit për president të Serbisë.
"Nuk ka indikacione se do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, por është e rëndësishme që në vendimin për formulimin e politikës ndaj Kosovës të kenë ndikim të gjithë aktorët e skenës politike", i ka thënë Ivanovic agjencisë serbe Beta.
Ai ka thënë se qasja e Serbisë ndaj Kosovës, do të varet nga Qeveria e re dhe presidentit të Serbisë, të cilët, sipas tij, do të duhej të krijojnë një politikë të përbashkët.
"Kosova është një problem i madh dhe kërkon angazhim të të gjithë pjesëmarrësve në shoqëri. Prandaj duhet të ekzistojë një konsensus i plotë në strukturën udhëheqëse dhe minimumi i konsensusit me opozitën ", ka thënë Ivanovic, duke shtuar se zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë është një rast për krijimin e frontit të gjerë dhe politikës konsistente ndaj Kosovës.
"Dy kandidatët për president, Tadic dhe Nikolic, kanë shprehur qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë, që është një çështje e respektimit të Kushtetutës. Prandaj nuk pres që të vijë deri te ndryshimi drastik i politikës ndaj Kosovës ", ka thënë ai.
Ivanovic ka thënë se është obligim i Beogradit të respektojë marrëveshjet e arritura deri tash me Prishtinën.