Veteranë të luftës në Kroaci, të cilët kishin udhëtuar me motoçikleta për në Kosovë, kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz, ku janë përulur para varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Ata mbërritën sot në Kosovë, pas disa orë vonesa në kufi me Malin e Zi.
Suita prej 18 veteranëve, në mesin e të cilëve edhe tri femra dhe Xhavit Demiqi nga Abria e Epërme e Drenasit, udhëhiqej nga kolonel Ivica Panxha dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Kroaci, Ratko Dragovic, i cili tha se “Prekazi është vend i shenjtë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha ata që luftuan për çlirimin e trojeve të veta nga Serbia”.
Kolonel Panxha, ka falënderuar të gjithë shqiptarët që luftuan për Kroacinë, në mesin e të cilëve ka përmendur emra të njohur si tashmë heroin e Kosovës, Bekim Berisha “Abeja”, etj., por edhe Xhevdet Babajn nga Llausha e Skenderajt, për të cilin tha se e ka pasur bashkëluftëtar, bashkë me Demiqin, raporton Koha.net.
Mysafirët nga Kroacia i ka falënderuar Hysni Ngucati, kryetar i degës së OVL në Skenderaj, i cili tha se kroatët dhe shqiptarët e patën një armik të përbashkët, Serbinë, të cilën e luftuan deri në çlirimin e trojeve të veta.
Luftëtarët nga Kroacia pastaj kanë vizituar edhe Kullat e rezistencës së familje Jashari në të cilat shihen gjurmët e rezistencës heroike të Jasharëve dhe barbaria e forcave serbe.
Veteranët e luftës së Kroacisë, si motoçiklistë të pasionuar, treguan interesim të shohin edhe motoçikletën të cilën e ka përdorur në lëvizjet e tij në terren komandanti legjendar, Adem Jashari.
Ndërsa në Prishtinë, veteranët e luftës në Kroaci, u takuan edhe me ministrin e FSK-së, Agim Çekun, një takim që emocionoi edhe mysafirët, edhe mikpritësin, meqë kishin qenë bashkëluftëtarë