Krivolaku dhe Akademia Ushtarake të hapura për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi ka pritur sot në një takim ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa. Në takim është konfirmuar bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve.

Ministri Besimi ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen dhe ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë dhe ARM-së për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përmes përvojave në planin e reformave dhe përpunimin e dokumenteve strategjike.
Sipas Besimit, Maqedonia do të ofrojë Kosovës hapësirën e trajnimit dhe përfitimit të përvojave në poligonin ushtarak Krivollak, qendrën rajonale për media dhe komunikim dhe Qendrën mjekësore ushtarake, raporton INA.
Besimi theksoi se për vitin e ri akademik do të jetë e hapur edhe Akademia Ushtarake e Maqedonisë për pranimin e katër kadetëve nga Kosova.
Nga ana tjetër, ambasadori Hysa ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në lëmin e mbrojtjes dhe shkëmbimit të përvojave dhe nismave rajonale.