Pagesa e tatimeve nga tatimpaguesit ndikon drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të mira për vetë ata që i bëjnë ato pagesa. Pagesa e rregullt e tyre krijon kushte më të mira jetësore për ta andaj edhe rrit interesimin e tyre për të shlyer obligimet ligjore. Kështu është thënë në inaugurimin e Qendrës për Shërbim të Tatimpaguesve, e cila do t’i shërbejë mbi 28 mijë tatimpaguesve në regjionin e Prishtinës.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, tha se synim i ATK-së është përmirësimi i kushteve dhe krijimi i lehtësirave sa më të mira për tatimpaguesit. “Përmirësimi i shërbimeve të tatimpaguesve, transparenca dhe ngritja e besimit ndaj publikut, ka qenë dhe do të mbetet në vazhdimësi prioritet i Administratës Tatimore të Kosovës dhe me këtë rast renovimi i këtij objekti dhe i këtyre hapësirave do të jenë edhe një mundësi më shumë që ne ta përmbushim obligimet tona për lehtësimin e regjistrimit, deklarimit dhe pagesës së tatimeve, që njëherësh është edhe obligim ligjor”, theksoi ai.
Ai ka pohuar se ky objekt është edhe një rrumbullakim i obligimeve dhe angazhimeve që ATK-ja i ka ndaj tatimpaguesve.
Ndërkaq, ministri i Financave i, Berdi Hamza, tha se rritja ekonomike vjen prej dy institucioneve, ATK-së dhe Doganave të Kosovës. “Ne jemi përcaktuar për rritje ekonomike, jemi përcaktuar që bartës të rritjes ekonomike të jetë sektori privat. Qëllimi ynë është që këto dy institucione, Administrata Tatimore, Doganat e Kosovës, të jenë në shërbim të bizneseve. Shërbimi për këshilla tatimore është një prej shërbimeve shumë të rëndësishme”, tha ai, raporton Kosovapress.
Hamza ka shtuar se në momentin e emërimit të tij ministër të Ministrisë të Financave, vetes ia kishte vënë si kushte që ATK-së dhe Doganave t’i krijonte kushte sa më të mira, si stafit, ashtu edhe për angazhimet e tjera. Ai, po ashtu, ka falënderuar edhe USAID-in amerikan që e ka mbështetur dhe po vazhdon ta mbështes ekonominë e Kosovës. Ai ka theksuar se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për këto dy institucione shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit. Ai njëherësh i përgëzojë për arritjen dhe tejkalimin e planit për mbledhjen e tatimeve dhe të të hyrave.
Ndërsa, Koordinatorja e projektit për administratë tatimore në kuadër të USAID-it, Elizabet Santuqi, ka thënë se askush nuk ka dëshirë të paguajë tatime, as në Amerikë, por me krijimin e kushteve, tatimpaguesit do të shtyhen që një gjë të tillë ta bëjnë pa presion.
Ndryshe, inaugurimi Qendrës për Shërbim të Tatimpaguesve, do t’u krijojë kushte më të mira dhe shumë lehtësira mbi 28 mijë tatimpaguesve në regjionin e Prishtinës.