Qeveria e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj sa i përket afatit për targat serbe në Kosovë. Pas disa afateve për serbët që të pajisen me targat RKS ose KS në vend të targave të lëshuara nga Serbia, pas 1 qershorit nuk do të ketë shtyrje tjetër. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të gjitha veturat me targa serbe që do të gjinden në rrugë do të konfiskohen.
Deri më 1 qershor serbët e Kosovës mund të qarkullojnë me targat e lëshuara nga Serbia, por pas kësaj date, çdo veturë me këto targa do të konfiskohet.
“Më 1 qershor përfundon dhe nuk ka kurrfarë shtyrje, munden vetëm me RKS ose KS. Ata që gjinden me to, iu konfiskohen, shkojnë tek gjyqtari për kundërvajtje dhe nuk lejohen të qarkullojnë nëpër Kosovë”, tha Rexhepi.
Sekretari në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic tha se nuk është mirë të vihen afate të tilla. Megjithatë ai tha se nuk mund të komentojë shumë, duke pasur parasysh faktin se duhet të formohet fillimisht Qeveria e re në Serbi.
“Në këtë moment nuk mund të them asgjë, pasi nuk e dimë se si do të jetë e konceptuar vetë qeveria. Duhet pritur që të formohet qeveria dhe ajo qeveri merr përsipër obligimet e ardhshme”, tha ai.
Sidoqoftë, sipas kryeshefit të Agjencisë për Regjistrimin Civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Camaj, është një numër i madh i serbëve që i kanë regjistruar automjetet me targat RKS dhe KS. Sipas tij, me KS janë pajisur 1359 serbë, ndërsa me RKS janë 4003, njofton RTK.
“Totali i serbëve të pajisur me targa KS dhe RKS është 5 mijë 362, ndërsa KS dhe RKS, serbët dhe të tjerët totali është 7 mijë e 570. Ky është raporti i fundit”, tha Camaj.
Qeveria që nga viti i kaluar u kishte dhënë serbëve të Kosovës disa afate për ndërrimin e tabelave, duke iu mundësuar që nëse nuk duan të kenë targa RKS, të pajisen me targa KS, por jo t’i mbajnë edhe më tutje targat e lëshuara nga Serbia. Afati i fundit i dhënë gjatë muajit mars, ishte 1 qershori, dhe sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, nuk do të ketë afat tjetër.