Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni politikën e jashtme të Kosovës e sheh si të çakorduar tërësisht, ndërsa i quan qesharake deklaratat e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj se Kosova mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë këtij viti. Kritikat e kryeministrit, Hashim Thaçi ndaj Brukselit, ai më shumë i sheh si mllef të kryeministrit ndaj Brukselit, e që, sipas tij, kjo nuk është aspak e shëndetshme politikisht.
Ish - shefi i diplomacisë së Kosovës ka thënë se politikën e jashtme të Kosovës do të donte ta shihte më të koordinuar, por një gjë e tillë nuk po ndodh.
“Do të doja të shihja më të koordinuar, më të përqendruar. Fatkeqësisht nuk është kështu. Është e shpërqendruar dhe çakorduar tërësisht. Kjo vjen si pasojë e shumë eksponentëve në politikë të jashtme, shumë të ngarkuarve në politikë të jashtme dhe për rezultat kemi pas një defaktorizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të ministrit të jashtëm. Fatkeqësisht, Ministria e Punëve të Jashtme e ka reduktuar aktivitetin tërësisht në organizimin e një tip konference që për pikëpamjen time janë konferenca karikaturë që nuk i ndihmojnë asgjëje”, ka thënë Hyseni në një intervistë për Kosovapress.
Ndërkohë, Hyseni thotë se, shpesh kemi parë që kur vjen një njohje e Kosovës, këshilltarët e zëvendëskryeministrit, Pacolli dhe ministrit Hoxhaj dalin për të njoftuar se ka ardhur një njohje, gjithnjë duke e pretenduar njohjen si meritë të shefit të tyre.
Këtë veprim, ish ministri Hyseni e sheh si një pasqyrë të keqe tek ndërkombëtarët, andaj kërkon më shumë përgjegjshmëri nga këta zyrtarë.
“Gjithsesi kjo nënkupton një sjellje pak më të papërgjegjshme. Unë nuk dua të komentoj më tej, sepse nuk dua t’i personalizoj këto gjëra. Defektet në politikën e jashtme të Kosovës dua t’i shoh në rrafshin parimor dhe jo personal”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Pacolli dhe ministri Hoxhaj kanë deklaruar se Kosova gjatë këtij viti mund të arrijnë numrin e njohjeve për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Por, këto deklarata Hyseni i quan si shumë qesharake, duke vënë në dilemë edhe mosdijen e këtyre zyrtarëve për procedurat e anëtarësimit në OKB.
“Ka pas paralajmërim që edhe në shtatorin e vitit të kaluar Kosova do të bëhej anëtare e OKB-së që për mua është qesharake. Ka pas parashikime që Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së këtë vit. Në shtator të këtij, në Asamblenë e ardhshme dhe kjo më duket tej mase qesharake. Parashikimet e tilla janë sa të paqëndrueshme, edhe joreale, sepse dihet procedura e anëtarësimit në OKB”, thotë ish - ministri.
Ndërkohë kritikat e kryeministrit të vendit ndaj Brukselit, Hyseni më shumë i sheh si një mllef të kryeministrit, reagim që, sipas tij, në politikë është i dëmshëm.
“Kosova nuk ka fuqi të hapë fronte me Bashkimin Evropian, sepse është e pafuqishme. Kosova duhet ta trajtojë marrëdhënien e saj me BE-në shumë realiste dhe mënyra realiste është kjo. Liberalizimi i vizave do të vijë nëse Kosova i plotëson gjitha kushtet”, ka theksuar ai.
Hyseni nuk ka lënë pa kritikuar edhe ekipin negociator në bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke e quajtur një ekip të dështuar që nuk ka mundur të nxjerrë favore për Kosovën.
“Absolutisht jo. Shumë shkurt do të përgjigjem. Në krejt këtë proces, Kosova ka dështuar dhe Kosovën në krejt këtë proces e ka karakterizuar një mungesë e zotësisë minimale për të nxjerrë favore për Kosovën”, ka potencuar Hyseni.
Zgjedhja e presidentit të ri në Serbi, nacionalistit Tomislav Nikolic, nuk e shqetëson shumë Hysenin, por më shumë e shqetëson fakti që deri më tash Kosova nuk është sjell si shtet ndaj Serbisë.