Vllasi: Unë më i miri për dialog me Serbinë!

Ish-udhëheqësi komunist i Kosovës, avokati Azem Vllasi, edhe pse nuk shpreh ndonjë interesim për inkuadrimin në politikë, thotë se po të ftohej për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, këtë do ta bënte më mirë se çdokush tjetër.

Vllasi vlerëson se dialogu nuk do të rregullojë raportet mes dy vendeve, kurse Serbia dialogun është duke e shfrytëzuar vetëm për interesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Nga dialogu me Serbinë nuk pres rezultate të rëndësishme. Nëse Serbia vazhdimisht përsërit se nuk e njeh shtetin e Kosovës, ajo nuk ka qëllim serioz që të rregullojë raportet me Kosovën, nëpërmjet dialogut. Qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes këtij dialogu të arrijë anëtarësimin në BE. Dhe, shihni pasi ka arritur këtë qëllim nuk i ngutet për kurrfarë vazhdimi të dialogut dhe arritjen e marrëveshjeve të tjera. Sepse, atëherë, deshi s`deshi, çështja e dialogut do të dalë si marrëveshje në mes të dy shteteve”, ka thënë Vllasi në një intervistë për “Lajm”, duke potencuar se nuk pret që Serbia të paktën edhe 30 vite të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se për Mitrovicën nuk duhet të ketë bisedime të veçanta, sepse Mitrovica është një çështje e brendshme e Kosovës.
“Derisa nuk shtrohet asnjë çështje e brendshme, asnjë pjesë e territorit, asnjë qytet i Serbisë, as Presheva, as Bujanoci, për ndonjë arsye në dialog nuk duhet as Mitrovica”, tha Vllasi.
Ndërsa vlerëson se kontributin më të madh do të mund ta jepte duke e udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedime me Serbinë. Këtë punë thotë se do ta bënte më mirë se çdo kush tjetër. Siç shprehet ai, jo se është më i mençuri, por se “historinë më specifike të tij e ka kaluar me Serbinë”.
Thotë se nuk ka ndonjë interesim për inkuadrim eventual në politike, por nëse Kosova do të kishte nevojë për ndonjë favor të tij, ai këtë do ta bënte pa hezitim.