Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpreh i ashpër lidhur me shantazhimet që sipas tij, po i bëjnë pjesëtarë të SHIK-ut, duke theksuar se nuk do të arrijnë t’i fshehin të vërtetat dhe të ngjallin frikë.
“Kohëve të fundit janë ngritur disa dilema, janë bërë disa pyetje, janë dhënë afate për përgjigje, madje ka pasur edhe konferenca shtypi për këtë! ...Por jo vetëm kaq. Qeveria dhe SHIK-u kanë nxjerr sërish edhe agjentët në skenë për të bërë presione e shantazhe ndaj qytetareve dhe personaliteteve. Ne nuk flasim me gjuhë spiunesh e agjentësh, madje nuk flasim fare me ta. Por ne, kemi një mesazh për Qeverinë dhe për SHIK-un të cilët po bashkëjetojnë në pushtetin me vota të grabitura: Mjaft me këso shantazhe e me këso presione ndaj opinionit”, u shpreh Selimi.
Ai më tej tha nëse mendojnë se mund t’i bëjnë dikujt presion e t’i shantazhojnë me afatizime e kanë gabim.
“Nëse doni që t’i frikësoni të tjerët me presione, prapë e keni gabim, s’ua ka frikën kush... Por tek e fundit, kush ua jep juve këtë të drejtë, kush jeni ju që angazhoni spiunë e agjentë për ta terrorizuar sërish opinionin, për të shantazhuar njerëz e personalitete, për të ngritur mjegull dhe për ta shmangur opinionin nga ngjarje më shumë rëndësi për të ardhmen e vendit? Kush jeni ju që i jepni vetes të drejtën për të shpifur e të ngritur teori konspirative , për të hutuar opinionin, pikërisht para asaj që ju po bëni në dëm të vendit dhe të ardhmes së tij?”, u shpreh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes.
Ai po ashtu doli edhe për atë se a është shuar apo jo SHIK-u, duke thënë “pse e keni mashtruar opinionin se e keni shuar SHIK-un e tash na dilni me aktivitete subversive ndaj të tjerëve?
Deputeti i Vetëvendosjes, ish udhëheqës i lartë i UÇK-së, foli edhe rreth dilemave të ngritura se kush pranoi e kush jo ta vishte uniformën e UÇK-së.
“Në mesin e dilemave të ngritura nga ju kohëve të fundit se, kush pranoi e kush nuk pranoi ta vishte uniformën e UÇK-së, se kush luftoi e kush iu dorëzua Serbisë, se kush luftoi e kush tradhtoi kur ishte koha! E nëse doni t’ua heqim dilemat u tregoj unë se kush e veshi e kush e zhveshi uniformën e UÇK-së dhe kush e ka përlyer madje. Mund t’ua tregoj një-për-një cilitdo prej jush, që pretendoni të jeni “tregtarët e historisë”, ta bleni e ta shisni historinë e Luftës së UÇK-së. Por, sot duket që se keni këtë kërkesë. Tani keni dalë me kërkesa spiunësh të SHIK-ut”, u shpreh Selimi.
Ai tha se nuk do t’i përgjigjen as SHIK-ut as Qeverisë, pasi sipas tij pikërisht këta janë që duhet t’i përgjigjen qytetarëve dhe drejtësisë.