Prokuroria e Shtetit ka publikuar të enjten raportin lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me keqpërdorimet në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë.
Sipas raporteve të pranuara nga Prokuroritë Komunale të Republikës së Kosovës, deri tani thuhet se janë akuzuar 1343 persona, që kanë të bëjnë me veprën penale të Mashtrimit në votime nga neni 180 i KPK-së dhe me veprën penale Keqpërdorimi i të drejtës së votimit nga neni 178 i KPK-së.
Bazuar në lëndët akoma të papërfunduara në Prokurorinë Komunale në Prishtinë dhe në Prizren, llogaritet që në të ardhmen të akuzohen edhe 931 persona.
Sipas statistikave të pranuara, lëndët që kanë përfunduar me aktgjykime kryesisht kanë pasur dënime me kusht dhe dënime me gjobë, si dhe në 3 raste dënime plotësuese, ku komisionarëve iu është shqiptuar Ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 4 vitesh.