Familjarët e së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit, deklarojnë se do të kundërshtojnë kontrollin e shtëpisë së tyre nga prokurorët e Task Forcës së EULEX-it për të hetuar në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh.
Mersim Katuçi, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar për Kohën Ditore se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë. Djali i madh i Katuçëve ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së.
Deklarata e tyre vjen vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet Ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint williamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt.
Ndërkohë, më 30 të vitit 2011, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është paditur në Gjykatën e Tiranës për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si “Shtëpia e verdhë”. Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Evropës të paguajë një shumë prej 10 milionë lekësh si dhe të përgënjeshtrojë raportin i cili bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplante organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish-ushtarëve të UCK-së.