Serbia nuk do ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nëse Beogradi javën e ardhshme nuk pajtohet për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
"Ne presim përparim në dialog, prej mesit të shkurtit", tha për agjencinë “Tanjug”, një burim i afërt me misionin gjerman në BE.
“Përndryshe, ne nuk do të jemi në gjendje që në fund të muajit ta mbështesim kandidaturën e Serbisë”.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të takohen në Bruksel në fund të shkurtit, për të diskutuar nëse Serbia i ka përmbushur kërkesat e dhjetorit të kaluar, të Këshillit Evropian.
Në mesin e kushteve kryesore ishte vazhdimi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe arritja e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Dialogu, megjithatë, është ndërprerë për më shumë se dy muaj, për shkak të pamundësisë së dy palëve për të rënë dakord në lidhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, nën emrin e të Kosovës.
Burimi i agjencisë serbe thotë se ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, gjatë një takimi të kohëve të fundit me homologun serb, Vuk Jeremic, e ka paralajmëruar bashkëbiseduesin se afateve po u afrohet fundi.
Westerwelle ka thënë se nuk do të lejojnë që të përsëritet situata e dhjetorit të kaluar, kur dialogu zhvillohej gjatë takimit të Këshillit, ndërsa marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve u arrit në çastin e fundit.
Burime të tjera diplomatike konfirmuan për “Tanjug” se Serbia ka pak gjasa ta fitoj statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nëse nuk arrihet marrëveshja e përfaqësimit.
"Praktika e Serbisë që të bëj gjithçka në momentin e fundit, pranohet shumë keq në Bruksel”, ka thënë një zyrtar i lartë i Komisionin Evropian, për të shtuar “se kjo minon besimin reciprok midis BE-së dhe Serbisë".
"Kushtet që Këshilli i ka shtruar për Serbinë janë të qartë të listuara. Nëse nuk përmbushen, edhe ato vende që nuk pajtohen me pozicionin gjerman nuk do të jenë në gjendje që të këmbëngulin për këtë kandidaturë”.
Bashkëbiseduesit kanë thënë se nëse Serbia nuk e fiton statusin në fund të shkurtit ose fillim të marsit, kjo çështje do të diskutohet tek në dhjetor.