Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka vlerësuar përkushtimin e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët në këto kushte të motit të keq po bëjnë maksimumin e mundshëm për t’i siguruar vendit furnizim sa më stabil me energji elektrike, ndërsa qytetarëve u ka bërë thirrje për kursim të energjisë.
Ministri Beqaj gjatë vizitës që i ka bërë sot mihjes sipërfaqësore dhe TC Kosova A dhe Kosova B, ku u shoqërua nga bashkëpunëtorë dhe menaxhmenti i KEK-ut, ka thënë se Korporata është një situatë emergjente dhe vërehet një angazhim i të gjithë stafit. “Është një sfidë relativisht e madhe të mbahet me furnizim edhe mihja edhe të funksionojnë të gjitha blloqet e prodhimit të energjisë në këto kushte. Unë falënderoj punëtorët e KEK, të cilët me angazhim jashtëzakonisht të theksuar kanë mundësuar që këto ditë të kemi furnizim relativisht të mirë me energji elektrike”, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së ka falënderuar të gjithë punëtorët që në këto kushte jashtëzakonisht të rënda punë po gjejnë motivim që kjo korporatë të funksionojë ashtu si duhet, ndërsa apeloi për konsum sa më racional që energjia të shkojë në të gjitha anët e Kosovës. “Dua të konfirmojë edhe një vendim të Qeverisë që sot është marrë, e ai është që ato zona që janë banime të përkohshme siç është lagja e Kuvajtit dhe të ngjashme të kenë furnizim 24 orë, ndërsa Qeveria do të merret me të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet që ka ndaj KEK-ut”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së rivitalizimit të Bllokut A2 të TC Kosova A, Beqaj ka thënë se vendi është në situatë që duhet të shfrytëzojë të gjitha resurset e tij energjetike mbi parimet e mbrojtjes së mjedisit, ndërsa ka mohuar çdo mundësi për reduktim të punëtorëve që është lasnuar në opinion së fundi.
Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ka bërë të ditur se Korporata që nga enjta është duke punuar në kushte emergjente dhe kushtet në të cilat punojnë punëtorët janë tejet të vështira, por është duke u bërë maksimumi duk punuar me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A që prodhojnë rreth 800 megavate/orë.
“Prodhimi është stabil që nga mëngjesi i së shtunës, kategoria A dhe B është pa reduktime, kategoria C reduktohet gjatë pikut dhe gjatë ditë dhe gjatë natës është pa reduktime. Ky është furnizimi më i mirë i mundshëm në këto rrethana, ne jemi duke bërë të pamundurën për të siguruar energji të mjaftueshme për qytetarët e vendit”, tha Gjukaj.
Ai tha se KEK ka marrë përkrahjen nga të gjitha institucionet qeveritare, ndërsa punëtorët që janë duke punuar në mihje dhe në TC janë duke luftuar me natyrën, janë duke bërë më të mirë e mundshme për furnizim me energji.