Duan zgjidhje para marsit

Bashkimi Evropian është i interesuar që brenda këtij muaji ta rikthejë në tryezën e diskutimeve delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë për një zgjidhje rreth bashkëpunimit rajonal.

BE-ja pat paralajmëruar se thirrja e takimit të radhës ndërlidhet me gjetjen e zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Ndërmjetësuesi i këtij dialogu, Robert Cooper, është duke vazhduar kontaktet me qëllim të pajtimit të delegacioneve për një model të paraqitjes dhe pjesëmarrjes së Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.
Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijancic, shprehu bindjen që brenda këtij muaji të mbahet raundi i ri i bisedimeve Prishtinë-Beograd.
“Nuk mund t’ju japë detaje për diskutimet që janë duke vazhduar, por qëllimi kryesor është i qartë: ne duam të shohim një zgjidhje”, theksoi ajo për “Radio Evropa e Lirë”.
Derisa vazhdojnë paqartësitë për atë se si do të duket kjo zgjidhje, në Serbi u deklaruan kundër çdo opsioni që s’do të merrte parasysh rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet kosovare, ndërkaq, kundërshtojnë të gjitha mundësitë që flasin për paraqitjen e Kosovës në këtë kuadër.
Këshilltari politik i shefes së delegacionit kosovar, Dren Zeka, tha se para zhvillimit të raundit të bisedimeve, nuk mund të flitet për rezultate rreth kësaj çështjeje.
Njohësit e integrimeve evropiane thonë se Brukseli zyrtar po të përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë çështje para muajit mars, kur dhe pritet të merret vendimi për statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, tha se interesimi për një rezultat konkret për bashkëpunimin rajonal ekziston sidomos te shtetet që mbështesin kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në këtë mekanizëm.
“Andaj, ka një presion për të gjetur një marrëveshje që mund të paraqitej si dëshmi që flet në mbështetje të dhënies të rezultateve në dialog”, tha Knaus, duke shtuar se marrëveshja për bashkëpunim rajonal do të duhej të ishte e qëndrueshme dhe afatgjate.
Me përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale në kuadër të rezolutës 1244, sipas tij, nuk do të zgjidhej problemi, por se do të kthehej prapa procesi dhe arritjet e deritashme.