Zbogar: BE po flet me zë më të fuqishëm për Kosovën

me liberalizimin e vizave, janë potencuar si top prioritetet e strukturave të Bashkimit Evropian të angazhuara në Kosovë. Përfaqësuesi i ri Special i BE-së, njëherësh edhe shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, diplomati slloven, Samuel Zbogar, ka thënë të hënën në mbrëmje se Kosova ka hyrë në fazën kyçe të marrëdhënieve të saj me BE-në.

Duke folur me rastin e pritjes vjetore të BE-së në Prishtinë, Zbogar ka thënë se vizita e fundit e Komisionares së BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, dhe fillimi i dialogut lidhur me vizat, ishin zhvillime pozitive.
“Ky është vetëm një manifestim i një tempoje pozitive të cilën duhet ta zhvillojnë më tej BE-ja dhe Kosova. Nga ana jonë, ndryshimet e prezencës së BE-së, të cilat kanë hyrë në fuqi me emërimin tim, janë vendimtare për thellimin e raporteve me Kosovën. Prania e BE-së tani është unifikuar në mënyrë efektive. Kjo mundëson që BE-ja të flet me një zë më të fuqishëm dhe më të qartë”, ka thënë Zbogar, edhe pse pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, ka thënë se misioni si një ndër organet kryesore të BE-së në Kosovë, punon ngushtë me Zyrën e Perfaqësuesit Special të BE-së dhe me institucionet e Kosovës. Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të zhvillojë dhe forcojë një sistem të pavarur dhe multietnik të drejtësisë, shërbime multietnike të policisë dhe të doganës.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se duhet bërë akoma më shumë për të arritur këtë objektivë në partneritet të ngushtë me autoritetet e Kosovës. Në emër të EULEX-it unë mund të ju garantoj përkushtim të plotë. Por përfundimisht, është tejet e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë”, ka thënë de Marnhac.
Duke përmbledhur çështjet kryesore për vitin 2012, De Marnhac dhe Zbogar theksuan gjithashtu mbështetjen për dialogun dhe për qasjen e pakushtëzuar dhe të përhershme në veri të Kosovës.
Veriu i Kosovës i qeverisur nga strukturat paralele serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe refuzon vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. Ndërkohë përgjegjësia kryesore për kaosin dhe krimin e organizuar që ushtrohet në këtë pjesë bie pikërisht mbi Bashkimin Evropian, gjegjësisht misionin e tij në Kosovë, EULEX.