Ndarja e Kosovës: Kufi i ri, urrejtje e re

Diplomati Erhard Busek ka deklaruar se Serbia dhe Kosova duhet të mendojnë për shkëmbim të territoreve. Kjo ide është e rrezikshme dhe do të dështojë, konsiderojnë përfaqësues të serbëve dhe shqiptarëve.

Ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, ka deklaruar së fundi se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë bisedimet për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve, duke “lidhur Luginën e Preshevës me Kosovën, ndërsa veriun e Kosovës me Serbinë”. Sipas Busekut, kjo do të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.
Randjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO), thotë se kur është fjala për ndarjen eventuale të Kosovës, duhet të dëgjohet zëri i serbëve nga të dyja anët e lumit Ibër. Deklarata e Erhard Busekut, vlerëson ai, është rezultat i dëgjimit të zërit vetëm të serbëve nga veriu i Kosovës.
“Askush nuk i ka pyetur serbët në jug të Ibrit, se çfarë do të thotë kjo për ata”, ka thënë ai për DW në gjuhën serbe, transmeton “Zëri”.
Duke kujtuar se ndarja e Kosovës është e rrezikshme, sepse ajo hap kutinë e Pandorës dhe mund të shkaktojë një efekt domino, Azem Vllasi, ish zyrtar i lartë i RSFJ-së, thotë se dalja nga kjo situatë ndodhet në planin e Marti Ahtisaarit .
“I vetmi plan i mundshëm është plani i Ahtisaarit dhe ajo çfarë ka përcaktuar dhe paraparë Kushtetuta e Kosovës në përputhje me këtë plan”, tha Vllasi.
Zivojin Rakocevic, njohës i rrethanave politike në Kosovë, ndarjen eventuale të Kosovës e konsideron si hyrje në “kaos, çmenduri dhe vetëvrasje”.
“Ne kemi mjaft kufij në Ballkan të cilët gjenerojnë urrejtje. Një lloj kufiri i ri do të përbënte kulmin e urrejtjes dhe të kësaj çmendurie”, tha ai.