S’ka plan të ri për veriun!

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk ka kurrfarë plani special për veriun e vendit jashtë pakos së Ahtisaarit. Duke i quajtur vetëm fjalë njoftimet për një plan të ri për çështjen e veriut, ai ka theksuar se tash për tash nuk ka një plan tjetër alternativ.

“Ata të cilët nuk e kuptojnë këtë, mund t’u shpjegohet në detaje”, ka thënë ministri Rexhepi gjatë inaugurimit të Qendrës për Azilkërkuesit në fshatin Magure të Lipjanit, raporton Koha.
Kohën e fundit janë shpeshtuar thashethemet në media, sidomos ato serbe, se Prishtina dhe Beogradi do të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje politike për veriun e Kosovës. Madje është përmendur edhe mundësia e dhënies së statusit special, për çfarë janë dakorduar edhe disa prej të ashtuquajturve përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës.
Por, kryeministri Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, dhe as status special për veriun e Kosovës. Ai ka thënë se nëse do të takohej me presidentin e Serbisë, Boris Tadic, për çka ka shprehur gatishmëri, atëherë këtë do ta bënte vetëm për t’i kërkuar njohjen e Kosovës, dhe assesi për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës.