Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë takimit me përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, ka thënë se marrëdhënie të mira bilaterale janë vënë edhe me parlamentet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia, pos me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Beogradi zyrtar madje e ka instrumentalizuar një numër të qytetarëve serbë të Kosovës dhe po e pengon stabilizimin e gjendjes në veri të Kosovës.
Duke folur për angazhimet e Kosovës për krijimin e raporteve të mira me qytetarët serbë të Kosovës dhe angazhimin serioz të institucioneve për të realizuar standardet më të larta evropiane për të drejtat e komuniteteve pakicë, Krasniqi ka theksuar se pala kosovare ka qenë konstruktive edhe në dialogun teknik me Serbinë, ndërkaq pala serbe nuk po tregon gatishmërinë as për t’i përmbushur marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut në Bruksel.