Lidhur me deklarimet e fundit të disa liderëve serbë, të cilët kanë thënë se e pranojnë pavarësinë e Kosovës, në shkëmbim të një statusi special për veriun, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “do t’iu shërbej të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie, në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës”.
“Është mesazh i mirë që edhe serbët në veri kanë filluar ta deklarojnë se pranojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi. “Nuk ka etni të veçantë në Kosovë. Kosova është vendi i të gjithëve, është atdheu i të gjithëve dhe do të gëzojnë të drejtat afirmative të gjithë”.
Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, me të cilin bisedoi për reformat e Kosovës drejtë integrimit evropian.
“Përvoja e Zbogar do të jetë shumë e mirëseardhur për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të lëvizim drejt perspektivës së sigurt evropiane”, ka thënë Thaçi.
Për Zbogain, ky vit ka nisë mirë, “me fillimin e procesit të liberalizimit të vizave”.
“Do të ketë më shumë vizita të komisonerëve në Kosovë, dhe më duket se do të ketë një dialog më të intensifikuar”, ka thënë ai. “Shpresoj se në fund të vitit, kur Komisioni Evropian do të përgatis një raport, ai do të jetë më pozitiv”.