Enti i Statistikave në Maqedoni njeh Kosovën sipas 1244

Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) në Maqedoni vazhdon ta trajtojë Kosovën sipas Rezolutës 1244, dhe kjo evidentohet në raportin e fundit të shkëmbimit tregtar për vitin 2011.

Sipas ESHS, Kosova njihet sipas Rezolutës 1244, derisa shkëmbimi tregtar llogaritet si pjesë e Serbisë, pra bashkërisht me shifrat e shkëmbimit tregtar me Serbinë, pasi që Republika e Kosovës si një nga importueset kryesore të mallrave të Maqedonisë nuk përmendet aspak në komunikatën e ESHS, por vetëm në tabelat ku Kosova llogaritet sipas Rezolutës së OKB 1244.
“Partnerët më të rëndësishme e tregtisë së Maqedonisë janë Gjermania, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Rusia (44.2% e totalit të huaj tregtar bëhet me këto pesë vende)”, theksohet në komunikatën e ESHS.
Mediat maqedonase dhe raportet e tjera fshehin faktin se Kosova është importuesja më e madhe e mallrave të Maqedonisë dhe kjo sipas raportit të publikuar dje nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas raportit të ESHS, Maqedonia është eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë edhe gjatë 2011 me mbi 540 milion dollarë, derisa me Serbinë ka 333 milion, Bullgarinë 307 milion dollarë dhe Greqinë 215 milion dollarë.
Kosova radhitet ndër shtetet që Maqedonia ka shkëmbimin tregtar më të larta në rajon, duke arritur shifra rekorde sa i përket eksportit të mallrave në Kosovë. Komunitetet e biznesit në Prishtinë të pyetur lidhur me këtë fakt apelojnë institucionet në Shkup, gjegjësisht ministrinë e Ekonomisë, të bëjë presione për të përmirësuar këtë shkelje, pasi që dy vendet tashmë janë të njohur si dy shtete.