AAK do t’i hyjë garës që ta udhëheqë Kosovën

Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të prirë nga deputetët e partisë – nënkryetari Ahmet Isufi dhe Daut Haradinaj si dhe anëtari i Kryesisë, Haki Shatri, zhvilluan të martën një takim me strukturat e Degës së AAK-së në Istog, ku u pritën nga kryetari i saj, Bekë Berisha me bashkëpunëtorë.

Ata bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale në strukturat e AAK-së në këtë komunë, rolin e tyre në jetën e gjithëmbarshme në Istog dhe në kuadër të Komunës. Gjithashtu, ndanë së bashku qëndrimin se Komuna e Istogut ka nevojë imediate për angazhim më të madh të strukturave udhëheqëse në përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtij lokaliteti.
Nga ana e tij, deputeti Daut Haradinaj, duke iu dhënë mbështetje angazhimeve të strukturave të AAK-së në këtë komunë, i ftoi të gjithë për mobilizim të shtuar në kuadër të proceseve nëpër të cilat po kalon Istogu, por edhe vendi dhe shoqëria jonë në përgjithësi.
Duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme për Degën e AAK-së, Haradinaj kërkoi angazhim më të shtuar të strukturave për zhvillimin e mëtejmë të partisë, demokratizimin e vazhdueshëm të saj dhe ofrimin e sa më shumë vlerave profesionale politike në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në këtë takim u konkludua se strukturat e AAK-së duhet të jenë më aktive dhe me dinamikë të shtuar të punës, në mënyrë që të jenë të gatshme për t’u sfiduar me zhvillimet politike në vend, në ditët në vijim, dhe me kthimin e shpejtë të kryetarit të partisë, Ramush Haradinajt, t’i hyjnë garës përfundimtare për udhëheqjen e Kosovës, në mandatin e ardhshëm qeverisës, drejt integrimeve të vërteta euro-atlantike dhe zhvillimit të hovshëm ekonomik.