Njësiti i FSK-së në ushtrim fushor në Danimarkë

Njësisë Ndërlidhëse për Reagim të Krizave të Forcës së Sigurisë të Kosovës, që përbëhet nga 40 oficerë dhe nënoficerë udhëtoi sot në Danimarkë, ku do të marrë pjesë në një ushtrim fushor njëjavor.

Në ceremoninë e organizuar, në përcjellje të këtij njësiti, në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore ishte komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së FSK-së, Shkëlzen Syla dhe zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga FSK-ja.
“Sot është një ngjarje e veçantë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, sepse ne para tri ditëve e dërguam një tog të FSK-së, në Republikën e Turqisë, për trajnime Operacione Mbështetëse të Paqes, dhe kjo është hera e dytë, që ne po dërgojmë tani një njësi të plotë (40) jashtë vendit për trajnime për të dhënë kontributin tonë në operacione paqeruajtëse nëpër botë. Njësia për Reagim Krizash shkon në Danimarkë për një ushtrim kolektiv atje dhe unë e falënderoj shumë Danimarkën për këtë donacion dhe për kontributin që po jep në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës”, tha gjeneral Kastrati.
Sipas tij, pas arritjes të kapaciteteve të plota operacionale FSK-ja po tregon dita-ditës që është forcë profesionale, është forcë e cila, jo vetëm për të mirën e Kosovës, por edhe për të kontribuar në operacione të ndryshme nëpër botë.
“Ne po tregojmë, me performancën tonë që FSK-ja, po ecë drejt rrugës së integrimeve në NATO dhe ky është një kontribut i Danimarkës, që për ne është shumë më rëndësi dhe ka vlerë të madhe, për arsye që FSK-ja po tregon çdo ditë se po i përmbush standardet e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Trajnimi i Njësisë për Reagim Krizash, në Danimarkë, është mundësuar falë punës dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me ushtarakët mentorues danezë, nënkolonel Gjon Flarup, majorit Eluf Pedersen dhe nënkolonel Holger Fuglsang, të cilët në mandatin e tyre u angazhuan dhe po angazhohen në ngritjen profesionale të NJNRK-së”.
Në përcjelljen e Njësisë, për në Danimarkë, ishte edhe nënkolonel Holeger Fuglsang, i cili ka merita për këtë trajnim.
“Qëllimi i këtij ushtrimi është përgatitja e njësisë për reagime të krizave, me qëllim, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës, për raste emergjente, dhe fatkeqësive të tjera natyrore, etj. Besoj se Njësia për Reagim Krizash e FSK-së, gjatë ushtrimit në Danimarkë, do të arrijnë të përvetësojnë shumë, se aty janë procedurat standarde, siç i mësojnë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s”, tha ai.
Njësia Ndërlidhëse për Reagim të Krizave në Danimarkë, do të zhvillojë një trajnim, nga 25 mars deri më 1 prill, në Qendrën e Agjencisë Daneze të Menaxhimit të Krizave Emergjente (DEMA), që udhëhiqet nga Ministria Mbretërore e Mbrojtjes së Mbretërisë së Danimarkës.