PDK zhvendos vëmendjen nga keqqeverisja

Themelimin e “Kabinetit për Qeverisje të Mirë” për Prishtinën, nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi, PDK, disa e shohin si përpjekjen e fundit të tij që ta zhvendosë vëmendjen nga keqqeverisja e Kosovës dhe ta nxjerrë liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili drejton Komunën e Prishtinës, si person që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit.

“Kjo është garë legjitime politike, pra që t’i fshehin mangësitë e tyre dhe t’i publikojnë mangësitë e tjerëve, madje t’i rrisin ato, pse që ta promovojnë veten se janë më të mirë se konkurrentët”, thotë për Zëri, Ardian Arifaj.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, thotë se është e pakuptimtë që të krijohet kabinet në hije për Prishtinën, ngase PDK-ja është në qeveri dhe i ka të gjithë mekanizmat për të përkrahur zhvillimin e Prishtinës.
“Thaçi po krijon kabinet në hije për Prishtinën, gjoja se po brengoset për Prishtinën, por ai nuk e ka vizituar asnjëherë Komunën e Prishtinës për të kuptuar nevojat dhe brengat e qytetarëve, edhe pse është vetëm dyqind metra larg Komunës”, thotë a duke pyetur se si ka mundësi që të pretendohet qeverisja e mirë nga një parti e cila di vetëm të keqqeverisë.
“Qeveria Thaçi është cilësuar si më e korruptuar në rajon dhe më gjerë”, thekson Hoti.