Fëmijët shpojnë faqet me gjilpëra të mëdha, derisa më të moshuarit këtë e bëjnë me shufra metalike. Disa madje fusin shkopinj të trashë në trupat e tyre. Kjo është mënyra se si dervishët e Prizrenit e dëshmojnë besimin e tyre.
Rendi i dervishëve rufai është i njohur përtej kufijve të Kosovës. Ata ishin aty shumë kohë para se ish provinca serbe u përmend në titujt e gazetave në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, pas shpërthimit të gjakderdhjes etnike.
Vallja vjetore e tyre u ndalua në Turqi nëntë dekada më parë, por tradita e vjetër me shekuj vazhdon në Kosovë, si dhe midis vëllezërve të tyre në rajon, në Maqedoni e në Shqipëri.
Me kapela të bardha në kokë dhe të veshur në tunika të zeza, rreth 130 prej tyre grumbullohen për lutje mbi qilimat e një Teqeje të ngushtë - vendi i takimit të vëllazërisë së myslimanëve sufi - në Prizren, në jug të Kosovës, duke pritur shehun Adrihusein Shehu, shruan Thomas Brey për Sapa-DPA.
Kur ai arrin, i flet kongregacionit në shqip, turqisht dhe boshnjakisht, dhe ata mblidhen për të festuar ditëlindjen e themeluesit të rendit të tyre, Aliut. Ceremonia që zgjatë tre orë e gjysmë, përqendrohet në ekstazën e valles rrotulluese dhe vetë-shpimit.
Përmes krahut liberal të myslimanëve sufi, dervishët proklamojnë dashurinë dhe tolerancën për të tjerët, pavarësisht nga fetë e tyre. Ato përbuzin fundamentalistët dhe terroristët.
Gjatë dy orëve të para të kremtimit, shehu dhe pasuesit e tij këndojnë dhe luten pa pushim. Pastaj ai predikon, duke bërë thirrje për tolerancë dhe "dashuri për të gjithë njerëzit". Pastaj bonbonet u jepen të gjithëve, që ta zbusin fytin, para se të kënduarit të filloj.
Një orë më vonë Shehu u thotë dervishëve tjerë të qëndrojnë në këmbë, dhe të gjithë fillojnë të rrotullohen, deri në ekstazë, nën tingujt e daulleve dhe cimbaleve. Në një moment, ai e fton një dervish të ri - ndoshta 10 vjeç – që të afrohet. Pastaj e futë një gjilpërë të madhe përmes dy faqeve të djaloshit.
Nuk ka gjak të dukshëm dhe fëmija nuk tregon asnjë dhimbje në ekstazë e tij të thellë pas së cilës kthehet në radhë dhe vazhdon vallëzimin me gjilpërën në fytyrën e tij. Afro 10 djem tjerë afrohen te Shehu për të shpuar faqet.
Dervishët e vjetër shpojnë vet nofullat dhe pjesët tjera të trupit. Kur ritmi përshpejtohet edhe më shumë dhe vallëzimi edhe më i zjarrtë, disa dervishë madje rrotullohen me shkopin e madh të dalë nga qafët e tyre.
Pastaj shehu i heq gjilpërat nga dervishët e rinj. Pasi shkul gjilpërën, ai shtypë vrimën me gishta dhe liron fëmijën. Ai e përsëritë këtë proces, djalë pas djali.
Vetëm disa pika gjaku mund të shihen te disa, por burrat më të moshuar, që shpojnë veten me shkopinj të mëdhenj, gjakojnë me një vijë të hollë të kuqe.
Pjesa e vetë-shpimit, shpjegojnë ata më vonë, është për të luftuar trupin e për ta çliruar shpirtin.
"Njeriu duhet të kapërcej trupin e tij, funksionet e tij biokimike, për të liruar shpirtin, që të jetë kështu me Perëndinë dhe në Perëndinë", thotë një nga ta.
Shpjegimi mjekësor se rrotullimi i vazhdueshëm shteron disa pjesë të trupit nga gjaku, gjë që lejon shpimin pa gjak, nuk i kënaq shumë ata që e shohin vallëzimin.
Në fund, Shehu fton rendin e tij për çaj. Të veshur me rrobat e përditshme, ata diskutojnë tema të zakonshme: martesën, varfërinë, politikën dhe religjionin.
Çdo anëtar i rendit merr këshilla nga Shehu. Titulli është i trashëguar nga i ati tek i biri, gjeneratë pas gjenerate, dhe djali i Shehut për vite është pjekur me këtë rol që i është caktuar nga lindja. Kur babai i tij vdes, rendi do të jetë në duar të sigurta.