Një veturë e vjedhur në Stokholm të Suedisë po kërkohej në gjithë botën nga Interpoli. Të gjitha të dhënat e saj ishin postuar në faqen e internetit të Policisë Ndërkombëtare. Ishin bërë tre vjet prej 31 marsit të vitit 2000, kur vetura nuk po gjendej kurrkund.
Por, rreth 2000 kilometra larg këtij shteti skandinav, kjo veturë e tipit “Jeep Grand Cherokee” po bënte rrugë nëpër Kosovë. Atë po e ngiste prej kohësh një zyrtar i Kosovës - Astrit Haraqija, shkruan “Koha Ditore”.
Haraqija, që tash mban pozitën e zëvendësministrit të Financave në Qeverinë e Hashim Thaçit, me këtë veturë të vjedhur në Suedi e me dokumente false ishte nisur drejt Shqipërisë më 24 shkurt 2003.
Në atë kohë mbante pozitën e shefit ekzekutiv të Komunës së Gjakovës, kur në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte ndalur nga Policia e Kosovës.
Gjatë një kontrolli të dokumenteve ishte konstatuar se autorizimi për ngasje ishte i falsifikuar dhe se Policia kishte rënë në veturën që po kërkohej prej tre vjetësh nga Interpoli. Automjetin e kishte konfiskuar.
Ky zëvendësministër tashmë me vendim gjykate është i gjykuar dhe shpallur fajtor si falsifikator i dokumentit zyrtar. E, megjithatë, vendimi i gjykatës nuk i ka dalë pengesë që të përfshihet në Qeverinë e Hashim Thaçit, që kishte ardhur në pushtet me zotimin për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
Xheladin Osmani, gjyqtar në Gjykatën komunale në Prizren e konfirmon procedurën penale dhe dosjen kundër Astrit Haraqisë.
Ai kishte nxjerrë aktgjykim duke e shpallur fajtor zëvendësministrin për veprën penale të falsifikim dokumentit dhe kishte vendosur me urdhër ndëshkimor sipas kërkesës së Prokurorisë publike komunale të Prizrenit.
Gjoba ishte modeste,megjithatë konstatonte se Haraqija ishte falsifikator.
I dënuari nuk ishte pajtuar me aktgjykimin. Ai ishte ankuar në shkallën e dytë, në Gjykatën e Qarkut në Prizren. Mirëpo, një kolegj penal i kësaj gjykate kishte refuzuar ankesën e Haraqisë si të pabazuar dhe e kishte vërtetuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës komunale të Prizrenit.
Pas këtij aktgjykimi, falsifikatori nuk është ndalur me kaq. Kishte bërë kërkesë në Gjykatën Supreme të Kosovës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Një vit më venë, kolegji penal prej tre gjyqtarësh i udhëhequr nga Rexhep Haxhimusa, më 10 shtator 2008 kishte nxjerr aktgjykim duke e pranuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
Me këtë aktgjykim Supremja kishte ndryshuar aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës komunale të Prizrenit dhe vërtetuar nga Gjykata e Qarkut për shkak të shkeljes së ligjit penal, konkretisht të nenit 332, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1.
Ky kolegj kishte hequr paragrafin 3, duke e lënë vetëm paragrafin 1. Me këtë kishte konstatuar se vepra penale ishte përshkruar në mënyrë absolute. Por në asnjë pikë nuk ka vënë në dyshim kryerjen e veprës penale.