Opozita braktis seancën, shkaku i Projektligjit të RTK-së

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke vlerësuar se miratimi i Projektligjit për RTK-në ka shkelur procedurat dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kanë vendosur që të lëshojnë seancën e Kuvendit të Kosovës, duke bërë që ajo të ndërpritet nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Shefi Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se në pjesën e parë të seancës është shkel kushtetuta dhe LDK për këtë qëllim nuk dëshiron të vazhdoj seancën.
“Me punimet që janë duke u bërë në këtë seancë, duke u shkel kushtetuta, ne si Grup Parlamentar do të lëshojmë seancën”, ka thënë Beqiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se janë shkel procedurat dhe edhe ky grup parlamentar do ta lëshoj seancën.
“Me shkeljen e këtyre procedurave, ne nuk pajtohemi dhe do të lëshojmë sallën”, ka thënë Ymeri.
Atyre iu është bashkangjitur edhe Grupi Parlamentar i AAK-së. Shefi i këtij grupi, Ardian Gjini ka thënë se për këtë që po ndodh dikush duhet të vë gishtin në kokë dhe të mendoj.
“Me miratimin e shpejt të këtyre projektligjeve në mënyrë kaq të shpejt ne nuk dëshirojmë të vazhdojmë kështu dhe për këtë duhet të vë dikush gishtin në kokë”, ka theksuar Gjini.
Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nuk i ka mbetur tjetër, pos ta mbyll seancën dhe ajo të vazhdojë punimet të premtën nga ora 10:00, raporton Kosovapress.
Në pjesën e parë të seancës, me 42 vota për, 36 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës. Deputetët miratuan një nga një 21 amandamentet e propozuara, duke përfshi edhe amendamentin 6, propozim ky i Grupit Parlamentar 6 plus, pa përkrahjen e Komisionit funksional, i cili parasheh hapjen e kanalit të tretë për pakicat.
Ndonëse nuk e kishte përkrahjen e komisionit funksional, atij për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, amendamenti 6 i Projektligjit për transmetuesin publik është votuar nga ligjvënësit. Pati reagime të deputetëve se kishin votuar gabim, por kryeparlamentari, Jakup Krasniqi nuk lejoi rivotim.