Përfshirja e të gjitha palëve në proces, vlerësohet si forma më e mirë për të tejkaluar problemet në veri të Mitrovicës. Kështu tha të enjten në Mitrovicë, kryetari i Kuvendit të Irlandës së Veriut, Willaim Hay, gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Hay, i cili gjatë vizitës shoqërohej nga deputetë të Kuvendit të Irlandës së Veriu dhe përfaqësues të qytetit London Derry, theksoi se Kosova dhe Irlanda e Veriut kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi. Ndërsa si fusha më të përshtatshme për bashkëpunim përmendi projektet zhvillimore ekonomike, mandej shkëmbimin e përvojave politike.
Biseda u fokusua edhe në shkëmbimin e përvojave të mira të qytetit London Derry, që ka pasur rrethana përafërsisht sikur të Mitrovicës. U theksua se “Forumi i Mitrovicës” që funksionon sipas modelit të London Derryt, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet duhet të vazhdojë aktivitetet meqë mund të arrihen rezultate të mira.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, duke folur për gjendjen aktuale në Mitrovicë, përmendi problemet me barrikada, mosfunksionimin e rendit dhe ligjit, mungesën e lëvizjes së lirë. “Problemi kryesor është funksionimi i strukturave ilegale që financohen dhe dirigjohen nga Beogradi”.
Kryetari Kastrati, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i prerë dhe t’ia bëj me dije Beogradit se zgjidhja e vetme për veriun e Kosovës është integrimi dhe bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës. Ai potencoi se financimi i strukturave ilegale në veri nga Beogradi, ndikon në mbajtjen e një gjendjeje të pandryshueshme.
“Beogradi shantazhin qytetarët në veri nëpërmjet financimit dhe kërcënimeve për të sabotuar institucione e Republikës së Kosovës”, tha ai.