Imami: Kosova të jetë prezente në NATO

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku e vlerësuan të rëndësishme konferencën “Sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e bashkuara”, të ministrave të Mbrojtjes “SHBA– Karta e Adriatikut”, e cila po mbahet në Shkup.

“Konferenca është e rëndësishme për disa tema dhe probleme të cilat janë në fokus të vendeve anëtare po ashtu edhe të vendeve kandidate. Shqipëria është në mbështetje të plotë të Kosovës në të gjitha integrimet, kemi gjithashtu bashkëpunim të ngushtë ushtarak i cili do të vazhdojë dhe që do të jetë edhe një nga premisat kryesore të integrimit të Kosovës në rajon, NATO është prezent në Kosovës, tani duhet plotësuar edhe krahu tjetër, Kosova të jetë prezent në NATO”, ka deklaruar Imami në një konferencë të përbashkët shtypi me Çekun.
Ndërsa, Agim Çeku e vlerësoi si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim.
“Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Ministrat e Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut dhe kjo është një dëshmi që Kosova gradualisht e zë vendin e vet në rajon, atë që i takon dhe është e barabartë në tryezën ku bisedohen çështje të rëndësishme siç është siguria, stabiliteti dhe bashkëpunimi në fushën e Sigurisë”, tha Çeku.
Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, nuk ka marrë pjesë në Samitin ministrave të mbrojtjes të rajonit dhe përfaqësuesve të SHBA-ve, pasi në këtë samit ishte i pranishëm edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, Agim Çeku.
Çeku shprehu keqardhje që Serbia për shkak të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik nuk pati guximin të marrë pjesë në konferencë.
“E rëndësishme është që të gjitha vendet tjera të rajonit e mirëpresin prezencën e Kosovës, e mirëpresin anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale të sigurisë, ne ishim të përfaqësuar absolutisht të barabartë si të gjitha vendet tjera, si të gjithë ministrat tjerë dhe patëm prezencën e dy vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, Bosnja e Hercegovinën dhe Greqinë dhe ata nuk patën asnjë vërejtje më të vogël në përfaqësimin dhe prezencën për mënyrën e përfaqësimit të cilën ne e kishim këtu”, ka deklaruar Çeku.
Ministri Çeku tha se ka njoftuar kolegët e tij se Kosova ka kapacitete që mund të ndihmojë dhe kontribuojë, ka vullnetin dhe mbështetjen publike edhe të institucioneve edhe të qytetarëve që të jetë jo vetëm konsumator, por edhe kontribuues i sigurisë.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë ministri Çeku ka realizuar edhe shumë takime bilaterale me përfaqësues të NATO-s dhe të vendeve anëtare.