Salihaj: Latif Gashi pagoi për të më vrarë

Gjatë ditës së enjte ka vazhduar seanca për të ashtuquajturin procesin “Bllaca 2”, ku ka dëshmuar, Adem Salihaj. Ai gjatë dëshmisë së tij ka drejtuar akuza në drejtim të Latif Gashit, tani deputet i PDK-së, se ka paguar një person nga Shqipëria me emrin Ilirian Halimi, i cili ka ardhur në Ferizaj për ta vrarë atë në vitin 2002.

Salihaj ka thënë se të gjitha këto ja ka rrëfyer një person me emrin Shemsi Bajrami nga Ferizaj , i cili së bashku me Ilirianin nga Elbasani kanë qenë së bashku në luftë në Maqedoni , raporton Express.
Salihaj, po ashtu ka thënë se Shemsi Bajrami, i ka thënë atij se Latif Gashi, nëpërmes deputetit tjetër të PDK –së, Xhavit Haliti, kishin angazhuar edhe një grup tjetër në rajonin e Deçanit me detyrë vrasjen e Tahir Zemajt.
Në këtë seancë, Salihaj po ashtu ka përmendur edhe një rast tjetër, të vitit 2001, ku militantë të PDK-së, sipas tij, kanë tentuar ta ndërpresin fjalimin e tij, me ç’rast janë dëgjuar edhe krisma armësh.
Ai ka akuzuar me këtë rast edhe Burhan Arifin, djalin e kryetarit aktual të Vitisë, i cili vjen nga radhët e PDK-së.