Në valën e 54 të privatizimit, Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) të enjten ka hapur ofertat për 21 ndërmarrjet. Nga 21 ndërmarrjeve, 19 prej të cilave ofertuesit kanë qenë në rregull me dokumentacion, duke ia hapur rrugën Bordit të AKP-së për të vendosur për privatizim, përderisa dy prej këtyre ndërmarrjeve u anuluan, pasi që ofertuesit e vetëm që ishin në garë për këto ndërmarrje, nuk e kishin të nënshkruar çmimin e ofertës që ata e kishin ofruar. Shuma e përgjithshme e kësaj vale të privatizimit arrin shumën e rreth tre milionë eurove. Për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve i mbetet të vendos Bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit.
Në këtë valë të privatizimit kishte shumë ofertues që ofertat e tyre u anuluan, pasi, siç vlerësuan zyrtarët e AKP-së, nuk i kishin plotësuar rregullat e ofertimit, gjegjësisht, disa prej tyre nuk i kishin të nënshkruara çmimet e ofertës që ata e kishin ofruar si dhe disa anulime erdhën për shkak të moskompletimit të dokumentacionit.
Kishte edhe një sërë ndërmarrjesh, të cilat kishin vetëm nga një ofertues. Ndërmarrjet të cilat arritën shumën më të madhe në këtë valë të privatizimit ishin ndërmarrja e re Toka Bujqësore Rracaj Sh.P.K, e cila nxori shumën mbi 400 mijë euro, ndërmarrja e re Sharr – Depoja e materialit ndërtimor, e cila kishte ofertën me vlerë afro 350 mijë euro
Ndërsa ndërmarrjet të cilat nuk arritën të futen në procesin e privatizimit për shkak të anulimit të ofertave të tyre, pasi që nuk i kishin përfillur rregullat e ofertimit ishin ndërmarrja e re Rilindja – Shitja Gjakovë, e cila u anuluan për shkak se i vetmi ofertues që ishte për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, nuk e kishte në nënshkruar çmimin e ofertës së tij, si dhe ndërmarrja e re Universal – Depo në Leposaviq, e cila u anulua për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Pas hapjes së këtyre ofertave, vlerësimi dhe vendimi për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve i mbetet Bordit të AKP-së.