Raiffeisen International fiton për kundër i krizës financiare

Raiffeisen Bank International (RBI) publikoi raportin vjetor për vitin financiar 2011, sipas së cilit profiti para tatimit arriti shifrën prej 1.373 milionë euro. Në krahasim me vitin paraprak, është shënuar një rritje prej 7 për qind. Mjedisi afarist ka vazhduar të jetë mjaft i vështirë, por edhe përkundër kësaj, profiti para tatimit i RBI ka qenë profiti më i lartë që nga fillimi i krizës financiare në vitin 2008. Kthimi në kapital para tatimit mbetet i pandryshuar, 13.7 për qind.

“Edhe në vitin 2011, ne arritëm të dëshmojmë se jemi në gjendje të arrijmë profit, që ishte një sfidë mjaft e vështirë për bankat në përgjithësi. Fakti që ne kemi arritur profit në çdo periudhë tremujore që nga fillimi i krizës financiare, thekson përparësinë e orientimit tonë strategjik, me fokus në Europën Qendrore dhe Lindore. Përmirësimet e pjesërishme të perspektivës makroekonomike të rajonit më bëjnë të besoj se viti 2012 do të jetë një vit më i mirë”, tha Herbert Stepic, Drejtor Ekzekutiv i RBI.
Në vitin 2011, të hyrat neto nga interesi u rritën për 3 për qind, nga 89 milionë euro në 3.667 milionë euro. Të hyrat nga komisionet mbeten të qëndrueshme nga viti i kaluar duke arritur shifrën prej 1.490 milionë euro. Këto të hyra kanë kontribuar 27 për qind në të hyrat operative të bankës. Shpenzimet e përgjithshme administrative u rritën 4.7 për qind në krahasim me vitin 2010 duke arritur shifrën prej 3.120 milionë euro. Në anën tjetër, provizionet neto për mbulimin e kredive me probleme kanë shënuar rënie të ndjeshme për 11 për qind ose për 131 milionë euro. Pas shumë vitesh, për herë të parë raporti në mes të provizioneve dhe kredive me probleme është përmirësuar, duke shënuar rënie për 0.3 pikë përqindje në 8.6 për qind. Profit i konsoliduar i RBI deri në fund të vitit 2011 ishte 968 milionë euro.
Asetet e përgjithshme janë rritur për 12 për qind ose 15.8 miliardë euro dhe kanë arritur në 147 miliardë Euro. Kreditë dhe paradhëniet për klientë pas provizionimit kanë shënuar rritje prej 5.6 miliardë euro. Depozitat e klientëve po ashtu kanë shënuar rritje duke arritur në 9.1 milionë euro. Ndërsa raporti kredi depozita është përmirësuar për 9 për qind në krahasim me vitin 2010 dhe ka arritur në 122 për qind.
Sipas parashikimeve dhe vlerësimeve të Raiffeisen Research pritet një përmirësim i situatës ekonomike në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Raiffeisen Research vlerëson se Bruto Produkti Nacional (BPN) në këto vende do të shënojë rritje për 2.6 për qind. Në krahasim me parashikimet e rritjes së BNP-së në Eurozonë, kjo paraqet një rritje më të shpejtë për 3 pikë përqindjeje.