PDK e hapur për hetimin e SHIK-ut

Kërkesa e deputetit të “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, për themelimin e një komisioni për të hetuar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), nga shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci shihet më shumë si një çështje që ngrihet për të shkaktuar një krizë. Kurse partitë opozitare LDK, AAK nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me çështjen.

Deputeti Grabovci ka thënë se Grupi Parlamentar është i hapur për ngritjen e çfarëdo komisioni për hetimin e luftimit të dukurive negative.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka pas qëndrime shumë të qarta. Të njëjtat qëndrime i kemi edhe sot. Absolutisht ne nuk jemi kundër ngritjes së komisionit për hetimin e nevojshëm për luftimin e dukurive negative që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë, për këtë e kanë mbështetjen çdo deputet, çdo grup parlamentar kushdo qoftë, por edhe shoqëria civile nëse kërkon një gjë të tillë”, ka thënë Grabovci, transmeton Kosovapress.
Por ai ka kërkuar që hetimi të shtrihet më gjerë dhe të hetohet vërtetë në gjitha nivelet dhe aty ku konstatohet që ka shkelje të ligjit, ata persona të sillen para drejtësisë.
Ai ka shtuar se nuk është e vërtetë se është e korruptuar çdo pore e jetës në Kosovë, duke shtuar se Kosova ka ecur dhe po ecë çdo ditë me hapa të sigurt përpara.
Grabovci ka thënë se nuk e lejon veten që të ulet në nivelin e deputeti Florin Krasniqi për të fyer njerëz, duke thënë se i respekton të gjithë qytetarët e Kosovës.
Por, i pyetur nëse deputeti Krasniqi ia ofron kërkesën dhe a do të nënshkruaj, Grabovci nuk ka thënë se nënshkruan, por ka thënë se PDK mbështet luftimin e gjitha dukurive negative.