Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në ceremoninë e hapjes së rezidencës franceze në Prishtinë deklaroi se krahas aleatëve të tjerë Franca ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike dhe ushtarake të na ndihmojë ta fitojmë lirinë tonë.
Presidentja theksoi se Franca ka qenë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë tonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe konsolidimit tonë si shtet.
“Kjo rezidencë, krahas ambasadës tuaj këtu në Kosovë, është me të vërtetë testament i partneritetit tonë dhe miqësisë së çmuar mes dy vendeve dhe popujve tonë... Populli i Kosovës do ta mbajë mend gjithmonë imazhin e Presidentit Sarkozy një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës derisa po u shpjegonte studentëve francezë në hartë krijimin e një shteti të ri demokratik dhe multietnik në zemër të Ballkanit”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja më tej theksoi se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, të drejtat dhe liritë e të cilëve respektohen, që jetojnë me dinjitet dhe në paqe.
“...Por, na mbetet shumë për t’u bërë. Ambasador, ne llogarisim në përkrahjen tuaj të vazhdueshme për të na ndihmuar t’ia zbulojmë botës Kosovën e re, për t’i promovuar të talentuarit e ri, si Ditën, për ta treguar rrëfimin e thesarit dhe traditave të pasura që i ka vendi ynë. Ne llogarisim në mbështetjen tuaj tani kur po i ndërmarrim reformat e nevojshme për të përshpejtuar integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, qëllim ky që na bashkon të gjithëve dhe që nuk ka alternativë”, tha ndër të tjera presidentja e vendit.