Grupi i ekspertëve për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i LDK-së shpreh shqetësimin për gjendjen e vështirë në sektorin e bujqësisë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë. Ata konsiderojmë se ka një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me bujqësinë si prioritet nacional.
Grupi i ekspertëve për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i LDK-së, thotë se Qeverisë i mungon vizioni dhe strategjia për bujqësi dhe zhvillim rural. Si rezultat, ajo ka dështuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të qëndrueshme për bujqësi dhe zhvillim rural në koherencë me praktikat ndërkombëtare dhe politikat e BE-së. Kjo ka bërë që sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural të jetë në krizë dhe i pa perspektivë.
“Paraqitjet e vazhdueshme të Ministrit të Bujqësisë, që flet si zëdhënës i partisë, janë më tepër një demagogji politike dhe lojë me ndjenjat e fermerëve të varfër kosovarë. Këta fermerë kanë nevojë për mbështetje financiare, e jo fjalime demagogjike. Këta fermerë çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se nuk mund të pritet më shumë nga qeveria e pakicës e Thaçi dhe zëdhënësit të tij të partisë Stavileci”.
“Keqpërdorimet e vazhdueshme, mungesa e respektimit të ligjit dhe e vullnetit politik për të përkrahur bujqit anekënd Kosovës, e ka shndërruar Ministrinë e Bujqësisë në një institucion të padobishëm në sytë e fermerëve”, thonë ekspertet e LDK-së.
Si pas tyre,, në vitin 2011, buxheti për shpenzime të karburanteve dhe servisimeve të automjeteve është rrit për 300% në krahasim me një vit më parë. Si rezultat i punësimeve të shumta me kontratë mbi vepër pa bazë ligjore dhe harxhimeve të pa planifikuara, buxheti për mallra dhe shërbime është harxhuar që në muajin gusht. Nga ajo kohë e deri në fund të vitit, për derivate të naftës dhe për shpenzime të Ministrit, janë përdorur mjetet e parapara për rregullimin e tokave bujqësore, i cili ende nuk ka filluar të implementohet.
Shumica e projekteve kapitale të parapara për vitin 2012, në fakt janë të bartura nga viti i kaluar pasi ato nuk janë realizuar gjatë vitit të kaluar.
“Thënia se është rritur (madje trefishuar) buxheti për bujqësinë është mashtrim. Buxheti për subvencione nga ana e Ministrisë së Bujqësisë është pak a shumë i njëjtë si ka qenë vitin e kaluar. Deri sa vitin e kaluar ky buxhet ka qenë 7.800.000 euro, në këtë vit është paraparë të jetë 8.400.000 euro. Me këto mjete duhet të paguhen borxhet që kjo Ministri ju ka mbetur fermerëve për vitin e kaluar, që është diç më shumë se 1.000.000 euro. Nga kjo del se buxheti i kësaj Ministrie për subvencione është për 400,000 euro më i vogël se vitin e kaluar”.
Për të mbuluar mungesën e fondeve, Ministri vazhdimisht përmend fondet e Bankës Botërore dhe donatorëve tjerë, si dhe të drejtorive komunale për bujqësi. Këto manipulime krijojnë një imazh të rrejshëm tek farmerët.
“Si rezultat i këtyre politikave, importi i prodhimeve bujqësore ka shënuar ngritje të vazhdueshme me një mesatare prej rreth 10% në vit. Në vitin 2011, të dhënat e fundit tregojnë se ka arritur afër 500.000.000 euro”, thuhet në komunikatën LDK-së.