Penthouse në New York me pamje panoramike në Central Park, është bërë apartamenti më i shtrenjtë i cili është shitur ndonjëherë në këtë qytet. Rusi Dimitrij Rybolovlec, i cili është i 93-ti në listën e njerëzve më të pasur të botës, shpenzoi 88 milionë dollarë për ta blerë këtë patundshmëri luksoze.
Pronari i ri bleu apartamentin si dhuratë për ditëlindjen e 22-të të vajzës së tij Ekaterina Rybolovlev.
Sipas BBC-së, apartamenti ka një sipërfaqe prej 6.744 metra, ndërsa pronar i saj ka qenë Sansford Weill, ish drejtori i gjigantit të çelikut Citigroup.
Penthouse gjendet në katin e 15-të të ndërtesës Central Park West, ndërsa atë e projektoi arkitekti Robert Stern. Ka një dhomë të madhe ndeje, librarinë, galerinë, dhomat e gjumit dhe tarracën me sipërfaqe 195 metra katrorë, e cila shtrihet përgjatë tërë apartamentit.
Natyrisht, kjo nuk është patundshmëria më e shtrenjtë të cilën Rybolovlev e posedon në SHBA. Më 2011 ai investoi në një shtëpi në Florida rreth 100 milionë dollarë.
Ndërmjetësues në blerjen e apartamentit të banesës në New York ka qenë agjencia Brown Harris Stevens, zëdhënësja e së cilit deklaroi se patundshmëritë elite në New York kryesisht blihen nga shtetasit e huaj.