Shteti në “të kuqen”

Një reklamë në CNN nuk ndikon fare te shqiptari F.S., banor në veri të Mitrovicës. Prindërit e këtij djali në të njëzetat, jetojnë gjithë kohën e pasluftës në një lagje në afërsi të gjykatave, mirëpo për shkaqe sigurie asnjëherë nuk kanë folur publikisht për medie. Këtë gjë ai e as prindërit e tij nuk guxojnë ta bëjnë as katër vjet pas shpalljes së pavarësisë.

“Fatkeqësisht unë me familjen time nuk e përjetojmë pavarësinë, por as lirinë prej pasluftës. Prej momentit kur është shpallur pavarësia para katër vjetësh, ne kemi qenë të mbyllur në shtëpi për katër ditë e katër net, gjithmonë të terrorizuar prej protestave të pandërprera të serbëve. Kështu kemi qenë rreth 30 familje shqiptare në atë lagje”, thotë F.S. për “Zërin”, i cili vazhdimisht kërkon që për shkaqe sigurie të mos i publikohet emri e as mbiemri.
Në katër vjet të shtetit janë prezantuar plane nga më të ndryshmet përfshi edhe ato për investime të huaja, që nuk erdhën kurrë, e deri te projektet madhore që ende kanë mbetur në fazën e diskutimit.
Me përjashtim të një autostrade për të cilën kosovarët nuk dihet se si është nënshkruar, si do financohet e në çfarë gjendjeje do na lërë pasi të kryhet, pothuajse asnjë premtim politik apo ekonomik nuk është plotësuar.
Disa orë pasi e lexoi deklaratën e pavarësisë, të cilës nuk i dihet as sot e kësaj dite autori, shefi i qeverisë që “e deklaroj Kosovën shtet”, Hashim Thaçi, premtoi se brenda një kohe të shkurtër Kosovën do ta njohin 100 vende anëtare të OKB-së.
Më 17 shkurt 2012, pra katër vjet pas shpalljes, Uganda u bë shteti i 88-të, një shifër dëshpëruese kjo e konsolidimit të Kosovës si shtet në aspektin ndërkombëtar. Jo pse kjo ka çfarëdo rëndësie për F.S. dhe banorët tjerë shqiptarë të Mitrovicës, apo në përgjithësi të veriut, por politikanët në Kosovë kanë ditur jo rrallë herë ta bëjnë lëmsh edhe procesin e njohjes.
Drejtori i Fondit të vëllezërve Rockefeller për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi, thotë se “në këto katër vjet ka pasur ngecje në njohjen e shtetit të Kosovës, si pasojë edhe e konflikteve të paraqitura mes Pacollit dhe Ministrisë së Jashtme, ku tendenca ka qenë përfitimi për vete e jo për shtetin”.
“Kjo tendencë e tyre ka krijuar huti dhe tek ato vende që kanë planifikuar ta njohin Kosovën, duke ndikuar në prishjen e imazhit të vendit. Këto e shumë të tjera kanë bërë që Kosova të kthehet mbrapa”, vlerëson Abazi.