Serbia sfidoi sistemin e sigurisë në Kosovë, me aktin e arrestimit të dy policëve të Kosovës nga xhandarmeria serbe, thotë ish-drejtori i policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Behar Selimi.
Ai thekson nevojën që të qartësohen më mirë kompetencat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në raport me forcën ndërkombëtare në Kosovë, në mënyrë që të mos cenohet integritetit territorial i vendit.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi thotë se me arrestimin e dy policëve kosovarë është atakuar territori dhe sovraniteti i Kosovës. Në një intervistë për RTK-në, Selimi tha se është sfiduar sistemi i sigurisë në Kosovë. Madje ai tha se në këtë rast është sfiduar edhe inteligjenca e KFOR-it.
“KFOR-i ka të dhëna të ndryshme, informacione të ndryshme sa i përket sulmeve eventuale në integritetet. KFOR-i megjithatë i ka ikur informacionit se mund të ndodh edhe kjo e të futen dhe të arrestojnë edhe policë që patrullojnë për ta luftuar kontrabandën”.
Selimi thekson nevojën e rishikimit të gjithë sistemit të sigurisë, e sidomos për veriun të përfshihen elementet e ndjeshmërisë, meqë me Serbinë Kosova ka raporte jo të mira. Ai theksoi se akti i arrestimit të policisë duhet të drejtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ai po ashtu thotë se duhet të qartësohen kompetencat për kontrollin e vijës kufitare prej 386 kilometra edhe me Serbinë, në mënyrë që të mbrohet integriteti territorial i Kosovës.
“Të sqarohen kompetencat që të fillohet procesi i bartjes së përgjegjësive, që të përgatiten njësitet tona për ta mbrojtur integritetin territorial. Aktualisht këtë mandat e kemi me Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Këtu duhet sqaruar rregullat e të gjitha njësive dhe rregullat e gjithë sektorit të sigurisë”.
Madje ish drejtori i policisë thotë se tani e tutje institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura edhe sa i përket dialogut me Serbinë. Ai tha gjithashtu se duhet t’i bëhet e qartë edhe Bashkimit Evropian se pavarësisht vullnetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim, ekziston një fund me përballjet e veprimeve të rënda dhe të vazhdueshme të Serbisë në raport me Kosovën.