Me rezultat prej 3-1, Barcelona ka triumfuar kundër Milanit në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë i zhvilluar në San Siro përfundoi pa gola, ndërsa pas përballjes në Camp Nou, në gjysmëfinale kualifikohen katalunasit.
Blaugranët e dominuan gjysmën e parë që nga fillimi. Pas një gabimi të mbrojtjes mysafire dhe ndërhyrjes së gabuar të Luca Antoninit në Lionel Messin, arbitri akordoi penalti.
Argjentinasi mori përgjegjësinë për të shënuar golin e 50-të në karrierë në garën më të madhe evropiane për klube (11’).
Përkundër sulmeve të vazhdueshme të katalunasve, mbrojtja kuqezi arriti të përballojë, dhe në rastin e tyre të parë, Rossonerët e barazuan rezultatin. Antonio Nocerino pranoi një top nga Zlatan Ibrahimovic për të heshtur tifozët në Camp Nou (33’).
Megjithatë, angazhimi i lojtarëve të Milanit u hodh poshtë, kur gjyqtari akordoi një tjetër penalti, kësaj radhe të diskutueshme, të cilën e konvertoi sërish në gol Messi (41’).
Mysafirët e filluan mirë gjysmën e dytë të takimit duke tentuar t’i ndëshkonin vendasit, mirëpo ata harruan se luanin kundër Barcelonës.
Pas një goditjeje të Lionel Messit në drejtim të portës, topi u devijua për të shkuar te Andres Iniesta dhe spanjolli me qetësi shënoi golin e tretë për vendasit (53’).
Në vazhdim, Rossonerët u angazhuan që ta ndryshonin rezultatin, mirëpo nuk patën fuqi ta bënin këtë.
Në gjysmëfinale, Barcelona do të luajë me fituesin e sfidës Chelsea-Benfica.