Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve ka porositur që "brenda një shoqërie duhet të prijnë për angazhim që në të: të mbizotërojë dashuria për njëri tjetrin, kujdesi vëllazëror për të mirën e përbashkët, shpërndarja e drejtë e të mirave që disponon toka, shteti e kombi, etj.".
Më tej ai porosit që një shoqëri e cila dëshiron të mbetet në shërbim të qenies njerëzore e në dobi të kombit, "duhet ta ketë synim të mirën e përbashkët, rritjen shpirtërore, kulturore e profesionale të personit, ruajtjen e pasurive të trashëguara dhe zhvillimin permanent të vendit".
“Sot, ndihemi shumë keq dhe në të vërtetë është për t'u shqetësuar, ngase në shtetin tonë të ri mbizotëron një bindje (apo një fakt) se kemi ndryshuar shtetin, por s'kemi arritur të ndryshojmë mentalitetin e pushtetit, për të qenë në dobi dhe shërbim të njeriut. Kemi arritur institucionet tona t'i vejmë nën kontroll të njerëzve tanë, mirëpo s'kemi arritur t'i formojmë ata që të shërbejnë në to, me përgjegjshmëri dhe drejtësi, prandaj shumë prej tyre, mundësitë që u jep pozita, i vejnë në shërbim të vetvetes, të grupit ose të klanit që i takojnë, ndërsa vetëm ajo çka mbetet, vihet në shërbim të gjithëve", thekson në mesazhin e tij Imzot Gjergji.
Në fund të mesazhit Imzot Gjergji shpreh dashurinë e gjithë Kishës në Kosovë, për njerëzit në nevojë, "sadopak t'i ngushëllojë zemrat e pikëlluara nga vuajtja e përditshme, zemrat e dëshpëruara nga pamundësia për t'i marrë të drejtat e garantuara, zemrat e frikësuara nga hakmarrja, zemrat e trishtuara nga mungesa e sigurisë për pronën, familjen dhe jetën”.